Analisti Agon Maliqi po qëndron në Bruksel. Siq tregon ai, gjatë kësaj kohe ka pas takime të shumta në Komisionin dhe Parlamentin Evropian.
Sipas Maliqit, Kosova është në pozitë të palakmueshme. Ndryshimet brenda BE-së, po marrin kahje edhe më negative karshi Kosovës, dhe “kjo situatë na gjen në izolim të plotë. E për këtë fajin kryesor e kemi vetë.”
Shkrimi i plotë i Maliqit:
Mesazhet nga Brukseli pas një serie takimesh në Komision dhe Parlament janë pak a shumë si vijon. Vizat i kanë bllokuar disa shtete anëtare dhe kjo nuk ka të bëjë me kritere të cilat të gjithë janë të vetëdijshëm se Kosova i ka përmbushur. Ndër këto shtete Franca ka qenë më e zëshmja, por me rezerva kanë qenë edhe Gjermania e Holanda. Kur të mëdhatë kundërshtojnë të tjerat as nuk e kanë parë të arsyeshme të mundohen. Po thuhet se ky nuk është detyrimisht hap vetëm kundër Kosovës por pjesë e trendit refuzues të këtyre shteteve për Ballkanin që u tregua edhe me moshapjen e negociatave për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Neve thjesht na rrëzuan në këtë hap sepse në këtë fazë të integrimit e kemi lënë veten dhe ndërkohë migrimi është bërë shqetësimi nr.1 në Europë. Personalisht jam i bindur se mungesa e vullnetit për ta shtyrë këtë punë për një vend prej 1.8 milionë njerëzish ka edhe elemente të forta të racizmit (të paktën te liderët po reflektohet frika nga ksenofobia e votuesve në BE). Shpresa e fundit ishte që çështja të hidhej në votim në dhjetor gjatë muajit të fundit të Presidencës Austriake në Këshill. Komisioneri Hahn nuk e ka venimin në dorë por si austriak mund të ndikonte që të hidhej në votë në Këshill. Me gjasë nuk e bëri për shkak të refuzimit të qeverisë për heqjen e tarifave dhe për inat e hodhi publikisht në Prishtinë bombën e vitit 2020 (sepse ky personazh ka prioritete të tjera politike dhe personale). Në Janar e merr përsipër presidencën e Këshillit Rumania kështu që aty vështirë se lëvizë diçka. Brukseli ndërkohë tashmë është futur në atmosferë zgjedhjesh ku më nuk merren vendime dhe të gjithë janë në dilema të mëdha për të ardhmen e Europës. Pak kush ka nerva të dëgjojë për ndjenjën e poshtrimit dhe tradhëtisë që na është bërë, e as për pasojat që izolimi i Kosovës mund t’i prodhojë. Për zgjerimin dhe Ballkanin po kujdesen vetëm disa njerëz në Komision dhe Parlament. Aty i kemi disa miq të sinqertë por janë të pafuqishëm dhe në dobësim e sipër. Shtetet anëtare në Këshill e kanë vetëm hallin e popullistëve në zgjedhje. Ka pesimizëm të madh se projekti europian do të jetë në rrezik me përbërjën e re të Parlamentit dhe Komisionit. Bindja dominuese është se Ballkani nuk ka çka pret prej BE-së në shtatë vitet e ardshme. Siç tha sot në bisedë private një deputet i parlamentit europian, Kroacia e ka kapur trenin e fundit, ndryshe edhe ajo sot nuk do të mund të ecte përpara. BE-ja me gjasë do të rikonfigurohet nga brenda dhe nuk do të shohë drejt zgjerimit. Ballkanin e pret një arkitekturë e re që nuk dihet se si mund të duket ose të lidhet me BE-në. Neve kjo situatë na gjen në izolim të plotë. E për këtë fajin kryesor e kemi vetë.