Pagesa për shfrytëzimin e autostradave në Republikën e Kosovës pritet të fillojë nga viti 2020, ka bërë të ditur për Radio Kosovën zëvendësministri i Infrastrukturës, Rexhep Kadriu. Ai tha se gjatë caktimit të çmimit të kësaj takse për bazë do të merret shuma e mjeteve që shpenzohet për mirëmbajtjen e tyre, e cila do të shpërndahet proporcionalisht te qytetarët që i shfrytëzojnë këto rrugë.
Pagesa për shfrytëzimin e autostradës “Ibrahim Rugova” dhe “Arbën Xhaferi” pritet të fillojë nga viti 2020, ka bërë të ditur zëvendësministri i Infrastrukturës, Rexhep Kadriu. Në një intervistë për Radio Kosovën, Kadriu ka thënë se pagesa nuk mund të hyjë në fuqi më herët pasi ka ende procedura për përfundimin e tërësishëm teknik të tyre.
“Realisht më 2020 nuk do të mundemi me hy, sepse vetëm studimi i fiziblitetit do të na marrë kohë gjashtë muaj. Nuk do të ngutemi, do ta bëjmë një taksë rrugore e cila do të jetë e kapshme për të gjithë qytetarët dhe për bizneset.”Ndërsa, sa i përket shumës së pagesës, Kadriu ka thënë se do të merret për bazë shuma e shpenzuar për mirëmbajtjen e tyre, e cila tha se do të shpërndahet proporcionalisht te qytetarët që i shfrytëzojnë këto rrugë.“Për të vendosur një çmim të autostradës duhet me marrë atë çka e harxhon t’i për me mirëmbajt, jo me taksë të qytetarit me mbush buxhetin shteti. Ne për një vit harxhojmë për mirëmbajtje të autostradave rreth 5 milionë euro, atëherë në proporcion me veturat të cilat do të kalojnë do të përpjesëtohet, dhe shpresoj se do të jetë minimale.”
Megjithatë, para pagesës, Kadriu ka thënë se në pranverën e vitit të ardhshëm do të shpallet studimi i fizibilitetit, do të ketë debate me qytetarë, biznese dhe të gjithë bashkërisht do të vendosin një taksë minimale.Ndërsa, për formën e pagesës, Kadriu ka theksuar se do të bëhet përmes sistemit të menaxhimit të rrugëve në Republikën e Kosovës. Ai shtoi se nga maji i vitit të ardhshëm do të krijohet sistemi inteligjent i menaxhimit të rrugëve.
“Të gjithë veturat të cilat kalojnë nëpër autostradë dhe rrugë nacionale do të incizohen, shpejtësia e tyre do të fotografohet, matjet e peshave të kamionëve që qarkullojnë nëpër rrugët tona do të bëhet në mënyrë automatike me senzorë dhe pagesa e taksave do të bëhet në momentin kur regjistrohet, me tabela, ku do të jetë mundësia për një javë, për një muaj, për një vit.”Në Kosovë deri më tani kanë përfunduar dy autostrada dhe janë në ndërtim e sipër edhe katër të tjera, të cilat synojnë lidhjen e gjashtë rajoneve të Kosovës njëra me tjetrën. /ZERI/