Institucionet neglizhojnë zgjedhjen e Bordit në Trust, rrezikohen pensionet e kosovarëve

Që nga 28 shkurti 2023, të gjithë anëtarëve të Bordit Drejtues të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK) iu ka përfunduar mandati. Nga kjo datë, 2.5 miliardë euro nga pensionet e kosovarëve janë pa menaxhim, duke u ekspozuar para rreziqeve të mundshme për shkak se asnjë veprim nuk mund të merret pa një Bord funksional.

Sipas ligjit, vetëm Bordi vendos për investime apo tërheqje të mjeteve të investuara, përcjell Buletini Ekonomik.

Konkursi për zgjedhjen e anëtarëve të rinj është mbyllur më 23 dhjetor 2022, por që nga atëherë Komisioni përgjegjës ende nuk i ka shqyrtuar kandidatët që kanë aplikuar.

Reklama e sponzorizuar

Komisioni përzgjedhës për këto pozita përbëhet nga Ministri i Financave, Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës dhe nga Auditori i Përgjithshëm.

Deri më tani të trija këto institucione nuk kanë shpjeguar se pse po e vonojnë shqyrtimin e kandidatëve, ani pse kjo neglizhencë mund t’i rrezikojë seriozisht pensionet e kosovarëve të investuara jashtë vendit.

Në mungesë të Bordit, kursimet e mbledhura nga Trusti gjatë këtyre muajve, s’mund të investohen në tregje financiare dhe se nëse ulet vlera e instrumenteve financiare ku janë investuar mjetet e Trustit, askush s’mund të bëjë ndryshime për të evituar rreziqet.

Nga Trusti kanë thënë për Buletinin Ekonomik se konkursi për anëtarë të Bordit Drejtues të FKPK-së është hapur nga institucioni (Trusti) në momentin që ka ardhur kërkesa nga Komisioni Përzgjedhës, i cili është organ ligjor përgjegjës për këtë çështje. Pas përfundimit të konkursit, ata kanë thënë se të gjitha aplikimet janë dërguar tek Komisioni Përzgjedhës.

“Pas dërgimit të aplikimeve tek Komisioni Përzgjedhës përgjegjësia e FKPK-së për këtë çështje përfundon (siç është përcaktuar me legjislacionin në fuqi). Për të gjitha çështjet që nuk janë në kompetencën e institucionit tonë (pra FKPK-së) nuk mund të japim komente e as vlerësime”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit për media në këtë institucion, Jeton Demit.

Ndërkaq, nga Banka Qendrore e Kosovës kanë hedhur përgjegjësinë tek dy institucionet tjera që janë pjesë e Komisionit Përzgjedhës për zgjedhjen e anëtarëve të Bordit të Trustit, duke thënë se Gurvernatori Mehmeti u ka bërë tri herë kërkesë ministrit të Financave dhe Auditorit të përgjithshëm lidhur me këtë proces, por që deri më tani nuk ka pranuar asnjë përgjigje nga të dyja palët.

“Ju informoj se bazuar në kërkesat ligjore, gjatë vitit 2022, përkatësisht më 14 mars 2022 dhe më 24 tetor 2022, si dhe më 5 janar 2023, Guvernatori Mehmeti ka bërë kërkesë drejtuar Ministrit të Financave dhe Auditorit të Përgjithshëm, lidhur me procesin për anëtarët e Bordit Drejtues të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës. Megjithatë, deri më tani, Guvernatori Mehmeti nuk ka marrë asnjë përgjigje nga institucionet përkatëse lidhur me përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarët e Bordit Drejtues të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës”, thuhet në përgjigjet e Kushtrim Ahmetit, zëdhënës për media në BQK, drejtuar Buletinit Ekonomik.

Buletini Ekonomik ka dërguar pyetje edhe tek Ministria e Financave dhe tek Zyra e Auditorit të Përgjithshëm lidhur me mbarëvajtjen e këtij procesi, mirëpo deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi, nuk ka marrë përgjigje nga asnjëra palë.

Ndryshe, pothuajse gjatë gjithë vitit 2022, investimet e Trustit Pensional të Kosovës në tregjet e jashtme kanë pasur kthim negativ.

Kriza në tregjet financiare globale përgjatë këtij viti referues, ka bërë që investimet e jashtme të Fondit Pensional të Kosovës të tkurren në shifra mjaft të larta. Si rrjedhojë e kësaj, Trusti nga janari deri në fund të muajit dhjetor të vitit 2022, ka humbur hiç më pak se 118.9 milionë euro nga rënia e vlerës së aseteve të saj në këto tregje.

Në raportin fundit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për vitin 2022, ku shpalosen informatat mujore të sistemit financiar në vend, në muajin dhjetor të këtij viti, kthimi nga investimet e Trustit jashtë vendit ishte -118.9 milionë euro, derisa në muajin nëntor kishte pasur një kthim edhe më negativ në një shifër prej -170. 5 milionë euro.

Kthimi negativ nga investimet kishte filluar menjëherë nga muaji mars 2022, ku sipas BQK-së, Trusti kishte raportuar humbje prej 60 milionë eurove në tregjet e jashtme, për të vazhduar më pas me -160 milionë euro humbje gjatë muajve qershor, korrik e gusht. Tregjet ndërkombëtare pësuan luhatje të mëdha në investimet e tyre shkaku i fillimit të konfliktit të armatosur të Rusisë në Ukrainë.

Ndërkohë, në muajin janar 2023, Trusti ka raportuar humbjet e njëjta sikurse edhe në muajin dhjetor 2022, -118.9 milionë euro. Aktualisht, vlera e aseteve të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës është  2 miliardë e 420 milionë euro, ndërsa vlera neto e aseteve të jashtme të të fondeve pensionale është 1 miliardë e mbi 698 milionë euro. /Buletini Ekonomik/