Mustafa: Asnjë taksë e vendosur ndaj Serbisë nuk arsyeton dështimet e Qeverisë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka kritikuar Qeverinë Haradinaj, për qeverisjen e dobët.

Mustafa në konferencën për 29 vjetorin e themelimit të partisë, ka thënë se asnjë taksë e vendosur karshi Serbisë nuk mund t’i arsyetojë dështimet e qeverisjes aktuale, shkruan Insajderi.

“Asnjë taksë sado e meritueshme të jetë ndaj Serbisë nuk mund ta këtë dështim dhe këto dështime”, ka deklaruar ai.

Reklama e sponzorizuar

Kreu i LDK-së ka numëruar sipas tij dështimet e koalicionit qeverisës, dështime këto të cilat sipas Mustafës tregojnë pa aftësinë për të qeverisur me vendin.

“Vetëm në një vit qeverisje, koalicioni aktual i ka shkaktuar dëme të mëdha Kosovës e la pa liberalizim të vizave, pa anëtarësim në Interpol, pa njohje të reja dhe me paralajmërime për tërheqje të njohjeve nga disa vende, katër komunat e veriut kanë ndërprerë me qeveritë qendrore dhe sillen se janë komuna të Serbisë kurse Qeveria dhe institucionet qendrore bëjnë sikur të jenë pajtuar me këtë gjendje”, ka thënë Mustafa.

Sipas Isa Mustafës aktualisht përkrahja e ndërkombëtareve ndaj Kosovës është në nivelin më të ulët.
Tutje Mustafa ka kritikuar Qeverinë Haradinaj për numrin e madh të zëvendësministrave e ministrave me aktakuza.

“Është vështirë të pritet më shumë nga një qeveri që 1/3 e ministrave me aktakuzë për vepra penale, me 80 zëvendësministra me koordinator të shpikur, me një qeverisje që po falimenton Telekomin, që nuk po përkujdeset për Trepçën”, u shpreh ai./Insajderi.com