Zyrtarët në Shtëpinë e Bardhë kanë deklaruar se presidenti amerikan Donald Trump dhe homologu i tij kinez Xi Jinping janë pajtuar për të ndërprerë luftën tregtare për 90 ditë, pasi dy ekonomitë më të mëdha botërore mund të eskalonin situatën.
Shtëpia e Bardhë në një njoftim zyrtar tha se Uashingtoni është pajtuar për të mos ngritur tarifat ndaj produkteve kineze në janar.
Po ashtu, tarifa e vendosur prej 10 për qind për 200 miliardë dollarë vlerë produkte të Kinës, nuk do të ndryshojë, shkruan REL.
Edhe zëvendësministri i Tregtisë në Qeverinë e Kinës, Wang Shouwen, tha se të dy liderët kanë vendosur të mos zgjerojnë tarifat.
Marrëveshja u arrit pas më shumë se dy orë bisede në një darkë në mes të dy liderëve, të mbajtur në kuadër të samitit G20 të liderëve në Argjentinë.
Lufta tregtare në mes të dy vendeve filloi këtë vit kur Trump vendosi tarifa ndaj çelikut të importuar nga Kina me vlerë më të madhe se 250 miliardë, si dhe produkte të tjera. Këto tarifa ndikuan edhe në tregun ndërkombëtar.