Produktet nga Kosova ekspozohen në Panairin Ndërkombëtar në Slloveni

Produktet e 10 kompanive të Kosovës janë ekspozuar të dielën para qindra pjesëmarrësve në Panairin e 25-të Vjetor Ndërkombëtar, që u mbajt në Lubjanë të Sllovenisë.

Ambasada e Republikës së Kosovës në Lubjanë bazuar në aktivitetet e saj për diplomaci ekonomike, ka marrë pjesë në këtë panair me renome në Slloveni, i cili konsiderohet ndër ngjarjet më të mëdha dhe organizohet çdo vit nga organizata SILA-IWCL (Asociacioni i Grave Ndërkombëtare në Slloveni).

I pranishëm në këtë Panair, ishte edhe Presidenti i Republikës së Sllovenisë, Borut Pahor dhe zonja e parë e Sllovenisë, Tanja Peçar.

Reklama e sponzorizuar

Ambasadori i Republikës së Kosovës në Slloveni, Avni Kastrati, në fillim të ceremonisë pati rastin të takohet me Presidentin Pahor dhe zonjën Peçar, me ambasadorë të akredituar në Slloveni dhe personalitete të tjera të jetës politike e ekonomike sllovene.

Ambasadori Kastrati dhe bashkëshortja e tij, Afërdita Kastrati, në emër të Republikës së Kosovës/Ambasadës në Slloveni shprehin mirënjohjen dhe falënderojnë të gjitha 10 (dhjetë) kompanitë kosovare pjesëmarrëse: BIOPAK, SUHAREKA VERARI, BODRUMI I VJETËR, DEVOLLI GROUP SH.P.K., ENERGIE SH.P.K., BURIMI-AG, ABI & ELIF 19, FRUTEX, MISSINI, VIPACK (printing &parking), që me gjithsej 73 lloje të produkteve kosovare kanë mundësuar pjesëmarrjen në këtë Panair Ndërkombëtar, produkte të cilat kanë hasur në interesim të konsiderueshëm të vizitorëve të shumtë në Panair.

Pjesëmarrja dhe ekspozimi i këtyre produkteve ka për qellim lobimin dhe promovimin e ekonomisë kosovare, ambientin e të bërit biznes në Republikën e Kosovës dhe njëherësh paraqitjen e tyre në konkurrencë të plotë me të gjitha shtetet evropiane.

Në këtë panair, i cili ndryshe njihet edhe si Pazari i Bamirësisë (Charity Bazaar), është bërë prezantimi i produkteve vendore i të gjitha shteteve që kanë misione diplomatike të akredituara në Slloveni.

Pjesëmarrja e Kosovës është vlerësuar lartë edhe nga organizatorët, të cilët kanë shprehur konsideratat më të larta për Ambasadën e Kosovës dhe kompanitë kosovare të cilat në vazhdimësi po ofrojnë produktet e tyre shumë cilësore për këtë Panair tradicional në Slloveni.