Ka disa javë që qyteti i Deçanit më shumë është pa rrymë sesa me rryme. Dy ditët e kaluara mbi 80 për qind e qytetit ka qenë pa rrymë, derisa vetëm një paralagje e qytetit ka pasur rrymë.
Sipas drejtuesve të Komunës së Deçanit, problemet janë duke u shkaktuar nga kablloja nëntokësore e largpërçuesit të tensionit të lartë dhe si pasojë ky qytet herë ka rrymë e herë nuk ka. Problemet me energji elektrike janë të theksuara në këtë qytet sidomos dy javët e fundit.
“Këta të KEDS-it kishe po ndërmarrin diçka, por send s’po bahet. Problemi është se qyteti i Deçanit është qyteti i vetëm në Kosovë që nuk ka edhe formë të sistemit unazor të tensionit të lartë, për shkarkimin e rrjetit dhe shpërndarjen e tij në dy pjesë të qytetit. Konkretisht edhe të një kabllo tjetër nëntokësore të largpërçuesit që në rast të defekteve kur bie njëri, tjetri me qenë rezervë. Nëse nuk shtrohet edhe një kabull tjetër, atëherë mund të kemi me muaj probleme të njëjta derisa nuk bëhet kjo”, thotë drejtori për Shërbime Publike, Izet Zenuni.