Të ardhura rekord nga turizmi në Shqipëri, 1.47 miliard euro

Të ardhurat nga turizmi arritën një vlerë rekord prej 683 milionë euro në tremujorin e tretë të vitit 2018, bëri të ditur Banka e Shqipërisë.

Krahasuar me një vit më parë, të ardhurat nga turizmi u rritën me afro 100 milionë euro.

Ndërkohë që në nëntë muajt e këtij vit, të ardhurat nga turizmi arritën në 1.47 miliard euro, me rritje 12% krahasuar me vitin e kaluar.

Reklama e sponzorizuar

Gjatë këtij viti, Shqipëria njohu një rritje të numrit të vizitorëve dhe turistëve të huaj nga vendet e rajonit, Europës e deri nga kontinenti aziatik.

Ndërsa e gjithë Shqipëria, nga Valbona, Thethi, në veri të vendit Vlora e Saranda jugore, u shndërruan në destinacionet më të kërkuara turistike. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me Tiranën, ku fluksi i vizitorëve shtohet me ritme të përshpejtuara e grupet e turistëve ndjekin njëri-tjetrin, ndërkohë që ka filluar ndërtimi i bujtinave të reja agroturistike, një tjetër risi që i ka dhënë jetë zhvillimit të turizmit rural anë e mbanë vendit.

Ekspertët shprehen se, kontributi i bumit turistik i adresohet investimeve strategjike në infrastrukturën rrugore dhe rivitalizimin e qendrave urbane por mbi të gjitha qendrave historike, kulturore e trashëgimisë shqiptare që nxisin në çdo kohë kureshtje për misterin që mbartin./atsh