Thaçi i kërkon Qeverisë rritje të pagës për ushtarët e FSK-së

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka thënë sot pas takimit me gjeneralin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrahman Rama dhe me ushtarët e FSK-së se do të propozojë rritjen e pagës për ushtarët në mënyrë që të kenë një jetë dhe punë të dinjitetshme.

Thaçi pas drekës së përbashkët me ushtarët e FSK-së tha se shpreson që Qeveria e Kosovës do t’i përgjigjet pozitivisht kërkesës së tij.

Reklama e sponzorizuar

“Pasi themeluam ushtrinë kemi një unanimitet të plotë të zhvillimit të Ushtrisë, të punës saj të mbarë, realizimit të misionit synimit kam vendosur si president i Kosovës t’i propozojë rritjen e pagës për ushtarët e FSK-së”, tha Thaçi.

Presidenti i vendit tha se ka besim të plotë të gjitha institucionet e vendit do të jenë të mobilizuar në këtë drejtim. Ai tha se pakoja e ligjeve për transformimin e FSK-së ende nuk ka shkuar në Presidencë, por në momentin që do të arrijë do ta nënshkruaj.

Thaçi ka folur edhe për periudhën sa ka qenë pjesëtar i UÇK-së, raporton Telegrafi.

“Ndihem shumë krenar që kam qenë ushtar i lirisë. Ajo periudhë më jep krenari dhe dinjitet për të vazhduar në misionin e ri, të fuqizimit të FSK-së”, tha ai, duke shtuar se Ushtria e Kosovës do t’i kontribuoj paqes kudo që kërkohet.

Ai tha se shpreson që në të ardhmen jo të largët, ushtari i Kosovës dhe i Serbisë t’i shërbëj së bahsku në misione paqësore në botë.