Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë organizoi punëtori mbi pronësinë intelektuale në Kosovë dhe Bashkim Evropian ku bizneset e pranishme u njoftuan mbi zhvillimet më të reja në këtë fushë si dhe progresin e arritur në zbatimin e obligimeve nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit, njofton OEAK përmes një komunikate për media.
Kjo punëtori u organizua në kuadër të një projekti që financohet nga Agjensioni Suedez për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (SIDA), menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).
Kujtesa Nezaj-Shehu, konsulente, mbajti një prezantim mbi të drejtën e pronësisë intelektuale ku u sqaruan llojet e pronësisë intelektuale, mekanizmat ekzistues në këtë fushë si dhe obligimet e Kosovës që dalin nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit. Ajo po ashtu sqaroi se legjislacioni në masë të madhe është i harmonizuar me direktivat e BE, mirëpo duhet të bëhen përmirësime ende në zbatim të këtij legjislacioni.
Drejtori i Zyrës për të Drejtat e Autorit dhe Drejtat e Përafërta, Valon Kashtanjeva, sqaroi rolin e zyrës që ai drejton, duke shtuar se bizneset ende nuk janë informuara sa duhet mbi rëndësinë e kësaj fushe. Ai sqaroi në detaje llojet e veprave që hyjnë në kuadër të drejtës së autorit. Në fund ai shtoi se për dalim nga pronësia industriale, veprat që hyjnë në këtë kategori nuk kanë nevojë për regjistrim pasi që mbrojtja ofrohet që nga krijimi i veprës.
Drejtori i Agjencisë për Pronësi Industriale, Nezir Gashi, përmendi sfidat që agjencia ka pasur në këtë drejtim, duke potencuar nevojën e ngritjes së kapaciteteve njerëzore dhe financiare të agjencisë. Ai poashtu njoftoi të pranishmit se vetëdijësimi i bizneseve mbi pronësinë intelektuale si dhe zbatimi i saj duhet të jetë ndër prioritetet e institucioneve në mënyrë që të arrihet implementimi dhe zbatimi i obligimeve të dala nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit.