Daja i Ramush Haradinajt punësohet në Agjencinë e Kryeministrisë

Lahi Brahimaj nuk arriti të sigurojë një ulëse në Kuvendin e Kosovës në zgjedhjet e vitit 2017.

Ai mori 8,121 vota, të cilat ishin të pamjaftueshme për të mposhtur konkurrencën në listën e koalicionit PDK-AAK-NISMA në garën për deputet.

Por, Brahimaj nuk ka mbetur jashtë institucioneve.

Reklama e sponzorizuar

Gazeta Jeta në Kosovë ka zbuluar se Brahimaj është punësuar në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë.

Punësimi i tij është bërë në kohën kur kryeministër është nipi i tij, Ramush Haradinaj.

AUV-ja është agjenci në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.

Në tetor të vitit të kaluar, Brahimaj është punësuar në pozitën e  Udhëheqësit të Sektorit të Administratës në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë.

Brahimaj në një përgjigje për KALLXO.com e ka konfirmuar se është punësuar në këtë pozitë. Thotë se nuk ka kërkuar dhe nuk ka marrë ndihmë nga Kryeministri për t’u punësuar. Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.

“Jam punësuar që rreth 3 muaj përmes konkursit”, tha Brahimaj për KALLXO.com.

“Për nderin tim, jo”, u shpreh Brahimaj kur u pyet nëse ka pasur ndërhyrje ose ndihmë nga ana e Kryeministrit për punësimin e tij.

Në lidhje me zgjedhjen e Lahi Brahimajt si ushtrues detyre të kësaj pozite në AUV, koment kishte dhënë edhe Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHC).

Sipas tyre procedura e rekrutimit për këto pozitë kishte qenë e rregullt.

Kriteret e kërkuara në konkurs për këtë pozitë punë kishin qenë që kandidati të ketë diplomë universitare në fakultetet: juridik, ekonomik apo administratë publike si dhe të ketë së paku 4 vjet përvojë punë profesionale.

Për këtë pozitë kishin aplikuar 7 persona, ndërsa në listë të ngushtë kishin hyrë 5.

Në arsyetimin e vendimit të KPMSHC-së se gjithçka kishte shkuar në rregull me procedurën e rekrutimit, ku ishte zgjedhur Lahi Brahimaj, ka treguar edhe për përvojën e punës së këtij të fundit.

Si përvojë punë Brahimajt i ishte llogaritur edhe mandati i deputetit në legjislaturën e kaluar.

Brahimaj ishte pjesë e grupit parlamentar të AAK-së gjatë kohës sa kjo e fundit ishte në opozitë.

Përveç mandatit të deputetit, Brahimajt i ishte llogaritur si përvojë punë edhe pozita e administratorit në “Hydro BG GRUP”, ku kishte qenë administrator ekzekutiv për më pak se një vit (korrik 2017-qershor 2018).

Sipas shkresës së KPMSHC-së, Lahi Brahimaj ka diplomuar në 2013 në drejtimin Juridik në kolegjin “Iliria”.