Gjatë 2018-s, të pasurit edhe më të pasur, të varfrit edhe më të varfër

26 njerëzit më të pasur të botës zotërojnë së bashku asete sa 50% të të varfërve të globit. Në verifikimin e përvitshëm mbi pasurinë, organizata e bamiresise Oxfam thotë se viti 2018 ishte viti kur të pasurit u bënë më të pasur dhe të varfrit, më të varfër.

Në përllogaritjet e saj, pasuria e 26 miliarderëve më të mëdhenj është sa ajo e 3,8 miliardë personave që përbëjnë gjysmën më të varfër të popullsisë së planetit. Hendeku mes tyre është thelluar akoma më shumë, duke penguar kështu ndjeshëm luftën kundër varfërisë.

Reklama e sponzorizuar

Shoqata pretendon se po të shtohet një taksë prej vetëm 1% mbi pasurinë, do të grumbulloheshin 418 miliardë dollarë në vit, mjaftueshëm sa për të arsimuar çdo fëmijë që nuk shkon në shkollë e për të siguruar një kujdes të tillë shëndetësor që do të mundësonte parandalimin e 3 milionë vdekjeve, transmeton tch.

Oxfam-i del në përfundimin se mbi 2200 miliarderë në mbarë globin e kanë shtuar pasurinë e tyre me 900 miliardë dollarë në vitin 2018, apo 2.5 miliardë dollarë në ditë. Rritja prej 12% në pasurinë e shumë të kamurve pati kontrast me rënien prej 11% të pasurisë së më të varfërve të globit. Sipas raportit, që 10 vitet që pasuan krizën financiare globale, numri i miliarderëve thuajse është dyfishuar.