Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Kosova e ka rritjen më të madhe ekonomike në Ballkanin Perëndimor.
Haradinaj përmes një postimi në Twitter, ka thënë se me ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, kjo rritje do të shkojë deri në 7 për qind.
“Kjo marrëveshje parasheh një investim prej 1.3 miliard euro, që do të garantojë pavarësi energjetike”, ka shkruar Haradinaj.
Mirëpo, sipas raportit të fundit të prezantuar nga Banka Botërore, Kosova pritet të ketë rritje ekonomike prej 4.5 për qind për tre vitet e ardhshme.
“Rritja ekonomike e parashikuar për vendet tjera të Ballkanit Perëndimor është: Shqipëria me 3.6 për qind në 2019 dhe 3.5 për qind në vitet 2020 dhe 2021; Maqedonia me 2.9 për qind në 2019, 3.2 për qind në 2020, 3.3 për qind në 2021; Serbia me 3.5 për qind në 2019, 4.0 për qind në vitet 2020 dhe 2021; Mali i Zi me 2.8 për qind në 2019, 2.5 për qind në vitet 2020 dhe 2021; Bosnja e Hercegovina me 3.4 për qind në 2019, 3.9 për qind në 2020, 4.0 për qind në 2021”, thuhet në raport.