Një fëmijë në Kosovë kur të rritet do të jetë produktiv vetëm 50% e potencialit

Fëmijët në Kosovë deri në moshën 18 vjeçare pritet të ndjekin 12.8 vite të shkollimit parafillor, fillor dhe të mesëm, mirëpo kur vitet e tyre të shkollimit nivelohen për nga cilësia e arsimit, atëherë shkollimi i tyre është i barabartë vetëm me 7.7 vite, që do të thotë se ata kanë një mungesë prej 5.1 viteve të arsimit.

Kështu ka analizuar raporti i ri krahasues i Bankës Botërore, Indeksi i Kapitalit Njerëzor (HCI).

Sipas raportit, një fëmijë i lindur sot në Kosovë do të jetë vetëm 56 për qind produktiv kur të rritet në krahasim me fëmijën që do të kishte arsimim komplet dhe shëndet të plotë.

Reklama e sponzorizuar

Në përgjithësi, Indeksi i Kapitalit Njerëzor i Kosovës është nën mesataren e rajonit, por mbi mesataren e grupit të saj të të hyrave.

Indeksi HCI përbëhet nga pesë indikatorë: gjasat për mbijetesë deri në moshën 5-vjeçare, vitet e pritura të shkollimit të një fëmije, rezultatet e testeve të harmonizuara që masin cilësinë e mësimit, shkalla e mbijetesës së të rriturve, dhe proporcioni i fëmijëve që nuk kanë kufizime në zhvillim.