Oda e Afarizmit akuzon Bedri Hamzën për bllokim të prodhimit vendor

Oda e Afarizmit të Kosovës përmes një komunikate ka thënë se është e shqetësuar me vonesat e lejimit të lëndës së parë që është duke e bërë Ministri i Financave Bedri Hamza.

Thonë se deri më tani, sipas ATK-së janë liruar vetëm 23% të prodhuesve apo rreth 40 biznese nga rreth 170 aplikacione që kanë bërë kërkesë deri më tash.

Reklama e sponzorizuar

OAK kërkon që urgjentisht të ndërprehet kjo procedurë burokratike dhe t’i lejohet të gjithë prodhuesve futjen e lëndës së parë siç e parasheh ligji të gjithë prodhueseve.

OAK vlerëson se këto procedura nëse është e nevojshme do të duhej të kryhen vitin e kaluar për këtë vit dhe shpreh dyshim që kjo zvarritje është e qëllimshme dhe ndikon drejtpërdrejtë në mundësinë e ndërprerjes së punës së shumë fabrikave të cilat pas aplikimit të taksës 100 % nga kryeministri Haradinaj, prodhimi vendor është rritur dhe kërkesa për lëndë të parë është rritë shumëfish në krahasim me vitin e kaluar.

Ndërkaq, OAK kërkon nga Kryeminstri Haradinaj të ndërhyjë menjëherë duke marrë masa ndaj këtij Ministri i cili po tregohet shumë i papërgjegjshëm.

Arsyeja e kërkesës sipas OAK është ankesa e prodhuesve lidhur me lirimin nga TVSH-ja e lëndës së parë.

Çdo fillim të vitit, prodhuesit vendor obligohen të aplikojnë në ATK për lirim nga TVSH-ja për lëndën e parë të importuar, ndërsa pas aprovimit të saj fillon edhe zbatimi në Dogana. Vitet paraprake shqyrtimi i kërkesave është bërë për një periudhë më të shkurtë kohore, gjë që nuk i ka penguar bizneset në vazhdim të prodhimit.

Këtë vit bizneset po përballen me probleme pasiqë për shkak të mos shqyrtimit të këtyre kërkesave lënda e parë ka mbetur pa kaluar në Doganë dhe si pasojë bizneset po detyrohen të paguajnë për qëndrimin e kamionëve dhe frigoriferëve në terminale dhe po krijon edhe pengesa në prodhim.

Oda e Afarizmit të Kosovës kërkon që të përkrahen prodhuesit vendor, duke ju lejuar që të bëjnë futjen e lëndës së parë në Doganë derisa të shqyrtohen aplikacionet nga ATK-ja.

Gjithashtu, OAK kërkon që kjo procedurë të hiqet ashtu që të mos obligohen bizneset të aplikojnë çdo vit.