Pas dy jave greve, minatorët kthehen në punë

Pas ndërprerjes së grevës së minatorëve të “Trepçës”, për shkak të një marrëveshjeje me ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, situata në minierën e Stan Tërgut është normalizuar. Minatorët hoqën dorë edhe nga dy kërkesat kryesore – ngritja e pagave 20 për qind dhe shkarkimi i Bordit Mbikëqyrës.

Është kthyer prodhimi në “Trepçë” pas gati dy javë të grevës së minatorëve, të cilët fillimisht kishin kërkuar plotësimin e katër kërkesave, pastaj ato i kishin reduktuar në dy dhe në fund kanë hequr dorë edhe nga dy kërkesat e fundit dhe më kryesoret – ngritjen e pagave 20 për qind dhe shkarkimin e Bordit Mbikëqyrës.

Minatorët kanë bërë një marrëveshje me ministrin e Zhvillimit Ekonomik,Valdrin Lluka, që ata t’i kthehen punës, ndërsa Lluka si ministër do t’i plotësojë kërkesat e tyre, por jo ashtu siç minatorët kishin kërkuar. Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, nëpërmes një njoftimi ka bërë të ditur se minatorët kanë ndërprerë grevën, duke ua premtuar kushtet që do t’ua plotësojë atyre, shkruan Zëri.

Reklama e sponzorizuar

“Është dëshmuar se dialogu social është forma më e mirë e zgjidhjes së problemeve me ndërmarrjet publike. Pas shumë takimeve me Këshillin Grevist të Minatorëve, Sindikatën e ‘Trepçës’ dhe Bordin e kësaj ndërmarrjeje, u dakorduam që të vazhdojë puna në miniera, për çka i jam mirënjohës kryetarit e Këshillit Grevist Ferid Nezirit dhe atij të Sindikatës së ‘Trepçës’ Shyqyri Sadikut, së bashku me kolegët e tyre të cilët kuptuan shumë qartë situatën e rëndë aktuale në ‘Trepçë’, që ka ardhur kryesisht për shkak të menaxhimit të dobët ndër vite”, ka thënë ministri Lluka në njoftim.