Sa po respektohet vendosja e flamujve të origjinës së mallit në markete?

Të gjitha subjektet afariste në Kosovë kanë filluar vendosjen e flamujve nëpër dyqane, për të treguar vendin e origjinës së produkteve që i kanë në shitje.

Vendosja e flamujve, pason një udhëzim administrativ të lëshuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë në Qeverinë e Kosovës në bazë të së cilit, flamuri i origjinës së produktit duhet të vendoset në anën e majtë të çmimit të shitjes apo çmimit për njësi jo më larg se 1 centimetër nga çmimi i produktit.

Zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë thonë se po monitorojnë zbatimin e këtij udhëzimi, sipas të cilëve, operatorët ekonomikë në vend janë duke respektuar relativisht vendimin.

Reklama e sponzorizuar

Kryeinspektori i Tregut në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Lulzim Syla në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se deri më 31 janar të këtij viti, ky proces duhet të përfundojë.

“Procesi është duke shkuar relativisht mirë, ne kemi dhënë një kohë shtesë që deri më 31 janar të vendosen të gjithë flamujt nëpër vitrina në anën e majtë të çmimit”, tha Syla.

Edhe disa konsumatorë e konsiderojnë të qëlluar këtë vendim. Blerta Hoti, thotë se vendosja e flamujve ka mundësuar që më lehtë të zgjedhin artikujt e nevojshëm.

“Mua po më pëlqen që po vendosin flamujt e shteteve nga vjen malli. Në disa dyqane i kam parë më shumë se kanë vendos, por në disa nuk i kam vërejtur. Sapo dola nga marketi (dyqani), dhe kur po shoh flamurin e Kosovës, disi po më obligon të blejë produkte vendore. Shumë mirë sepse shumë humbja kohë duke lexuar prej nga vijnë këto produkte”, thotë Hoti.

Por, në rast se bizneset nuk respektojnë udhëzimin administrativ deri në periudhën e paraparë, atëherë mund të pasojnë gjoba nga 1.000 deri në 20 mijë euro, tregon kryeinspektori Lulzim Syla.

“Nëse bizneset nuk kanë arritur të vendosin të gjithë flamujt, por vetëm pjesërisht, atëherë dënohen me 1.000 euro. Por, nëse kanë anashkaluar komplet procesin e vendosjes së flamujve, atëherë lëndët do të procedohen në Gjykatat e Kosovës, ku dënimi mund të arrijë prej 5 deri 20 mijë euro”, thotë Syla.

Ndryshe, udhëzimi administrativ për vendosjen e flamujve, pason vendimin e mëhershëm të Qeverisë së Kosovës të datës, 21 nëntor, 2018, për vendosjen e taksës doganore 100 për qind për produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Vendosja e kësaj takse është kritikuar në vazhdimësi nga Bashkimi Evropian, derisa edhe zyrtarë amerikanë kanë bërë thirrje për shfuqizim të kësaj mase.

Por, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, vazhdimisht është përgjigjur se taksa doganore do mbetet në fuqi derisa Serbia ta njoh pavarësinë e Kosovës.

I pyetur nga gazetarët lidhur më mundësinë e shfuqizimit apo edhe pezullimit të vendimit për taksën doganore, Haradinaj nuk u përgjigj drejtpërdrejtë, por tha se “se bora do të shkrihet dikur”.

Serbia, para vendosjes se taksës doganore ka qenë shteti i parë me prezencën e produkteve në tregun e Kosovës. Vetëm gjatë një dite në Kosovë, Serbia eksportonte mallra në vlerë prej një milion euro.

Qeveria e Kosovës më 6 nëntor, të vitit të kaluar, fillimisht kishte vendosur taksë doganore 10 për qind për produktet e importuara me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina. Kjo taksë doganore u ngrit në 100 për qind më 21 nëntor.

Përveç kësaj, më 28 dhjetor, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të vendosë taksë doganore 100 për qind edhe për produktet e importuara nga brendet ndërkombëtare që prodhohen në Serbi dhe Bosnje e Hercegovinë.

Kurse, një ditë pas, më 29 dhjetor ka hyrë në fuqi udhëzimi administrativ për caktimin e formës, përmbajtjes dhe përdorimit të flamurit mbi origjinën e produktit. /REL/