Ende pa u sqaruar shumë gjëra për të ardhmen e termocentralit “Kosova e Re”, ekzekutivi i vendit është ngutur ta themelojë Ndërmarrjen e Re Energjetike të Kosovës.
Kjo ndërmarrje do të merret me blerjen e energjisë që do të prodhojë termocentrali dhe të njëjtën do t’ua shesë operatorëve të shpërndarjes.
Ky hap vjen pas atij të ndërmarrë në majin e 2018-s, ku qeveria e emëroi bordin dhe kryesuesin e bordit, raporton KTV.
Megjithëkëtë, themelimi në këtë periudhë po cilësohet i hershëm nga shoqëria civile.
Sipas Dardan Abazit nga INDEP, kjo po shkakton vetëm kosto financiare.
Sipas burimeve në qeveri, brenda muajit, buxhetit të ministrisë i kanë kushtuar 3800 euro pagat e tyre.
Derisa, nga maji e deri në dhjetor afër 27 mijë euro.
Qeveria nuk e ka lënë me kaq. Ka hapur edhe konkursin për drejtorin e bordit.
Nga Instituti GAP, hulumtuesi Blend Hyseni ka treguar se në kontratë nuk është përcaktuar afati i themelimit të saj.
Zyrtarë të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik nuk kanë dhënë detaje, kurse në Zyrën e Kryeministrit nuk kanë treguar pse ka qenë i nevojshëm krijimi i ndërmarrjes dhe rekrutimi i stafit.
Lidhur me nevojën për themelimin e saj në vitin 2018, drejtohuni në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik.
Projekti i termocentralit pritet të kalojë në Kuvendin e Kosovës gjatë muajve të parë të vitit.
Kompania Contour Global ende nuk ka bërë përzgjedhjen e kompanive ndërtuese të termocentralit.