Në përpjekje për të siguruar punëtorë të rinj, ose për t’i mbajtur ata të deritanishmit, shumë ndërtimtarë, kushtimisht, janë detyruar t’i shtojnë pagat për të punësuarit dhe mëditjet për punëtorët ditor, qofshin ata me kualifikim (mjeshtër), ose punëtorë të thjeshtë (punëtorë krahu, ose siç jemi mësuar të dëgjojmë emërtimin punëtorë fizikë). Sa paguhet sot një mjeshtër dhe sa një punëtor fizik në sektorin e ndërtimit në Kosovë?
Buletini Ekonomik
Nuk ka tashmë dilema se Kosovës po i mungojnë punëtorët në shumë sektorë ekonomikë, social dhe atë të shërbimeve. Ndër sektorët që po e ndiejnë më seriozisht mungesën e punëtorëve, edhe të kualifikuar edhe të pakualifikuar, sipas të dhënëve, janë sektori i ndërtimtarisë dhe ai i gastronomisë.
Njohësit e zhvillimeve të ndërtimtarinë e Kosovës, madje, një ndër shkaqet e çmimeve të larta të një metri katror të banesave, e shohin edhe te mungesa e punëtorëve. Tani, në përpjekje për të siguruar punëtorë të rinj, ose për t’i mbajtur ata të deritanishmit, shumë ndërtimtarë, kushtimisht, janë detyruar t’i shtojnë pagat për të punësuarit dhe mëditjet për punëtorët ditor, qofshin ata me kualifikim (mjeshtër), ose punëtorë të thjeshtë (punëtorë krahu, ose siç jemi mësuar të dëgjojmë emërtimin punëtorë fizikë). Ndërsa kjo rritje pagash dhe mëditjeje, goxha e theksueshme krahasuar me ato të një e dy vjetëve më parë, domosdo ka ndikuar në financat e punëdhënësve, të cilët pa humbur kohë, për t’i kompenzuar financat e dedikuara tashmë për rritje pagash të punëtorëve, kanë shtuar çmimet e një metri katror të banesave dhe të ambienteve të tregtimit, ose kanë mbajtur çmimin së paku të pandryshuar të deritashëm, edhe ashtu të lartë.
Trajtimi shumë më i mirë i punëtorëve se pak kohë më herët, i reflektuar nëpërmjet kompenzimit shumë më të favorshëm finanaciar, duhet thënë se është i vonuar dhe kjo vonesë ka për pasojë ikjen e punëtorëve nga Kosova për në shtetet e perëndimit. Kjo ikje është shprehur shumë, sidomos pas liberalizimit të vizave edhe për qytetarët e Kosovës, që nga fillimi i këtij viti.
2-3 ditë mbas 1 janarit, kur është fuqizuar liberalizimi i vizave edhe për kosovarët, janë paraitur sinjalet e para për mungesë të punëtorëve. Natyrisht, me shenjat e para të paraqitjes së këtij problemi, shumë punëdhënës nga sektori i ndërtimtarisë në vend, ka nisur trajtimin shumë më të favorshëm të punëtorëve në këtë sektor, ç’është e vërteta, të vlerësuar nga shumëkush si i vonuar.
Sot, pagat për thuaja të gjitha kategoritë e punonjësve në ndërtimtari janë përafërssht të dyfishuara, madje edhe përtej. Sipas të dhënave që Buletinit Ekonomik ia ka bërë publike një punëdhënës –ndërtimtar i respektueshëm dhe serioz në ushtrimin e veprimtarisë së tij, por që e preferon anonimitetin, një mjeshtër në ndërtim nga kompania e tij paguhet 1.200 euro, ndërsa një punëtor fizik, ose punëtor krahu e ka rrogën 700 euro. Edhe për mjeshtrit, edhe për punëtorët fizik, punëdhënësi siguron gjithashtu transportin shtëpi-vendi i punës dhe anasjelltas, si dhe ushqimin gjatë ditës.
Punëtorët e angazhuar me punë ditore, ata që paguhen me mëditje për një ditë pune kompenzohen 50-60 euro (mjeshtrit) dhe 30 euro punëtorët e krahut. Për të dy palët, po kështu punëdhënësi paguan udhëtimin dhe ushqimin ditor.
Sipas një mjeshtri tjetër, që nuk do t’i publikohet emri, po të ekzistonin këto kushte para një viti, sot nuk do të ndihej mungesa e punëtorëve në ndërtimtari. Sepse, edhe në Gjermani, sipas tij, punëtorit në ndërtimtari nuk i mbesin më shumë para se sa ndërtimtarit në Kosovë. Atje (në Gjermani), duhet paguar transportin banesë-vendi i punës dhe anasjelltas, ushqimin e shtrenjtë dhe banesat poashtu me çmime enorme. Në këtë mënyrë, jo rrallë, në fund mbesin më pak para se sa do të fitonte në ndërtimtarinë e Kosovës.
Mjeshtri, me të cilin ka biseduar këto ditë reporteri i Buletinit Ekonomik, ka përmendur edhe disa raste konkrete, kur puntorë të këtij sektori janë rikthyer nga perëndimi për të punuar te punëdhënësi vendor, pas trajtimit të përmirësuar ndaj punëtorëve. /Buletini Ekonomik/