Me kifle, por pa qumësht e kanë nisur gjysmëvjetorin e dytë nxënësit e ciklit të ulët në shkollat fillore të kryeqytetit.
Kjo për shkak të anulimit të tenderit për qumështin nga Komuna e Prishtinës, raporton emisioni 038 i KTV-së.
Me akuzat dhe kundërakuzat për qumështin në Prishtinë, mes PSD-së dhe Vetëvendosjes, do të merret drejtësia.
Kjo pasi Prokuroria Themelore në Prishtinë ka paralajmëruar së shpejti nisjen e hetimeve ndaj kryetarit Shpend Ahmeti, për keqpërdorim të 530 mijë eurove në tenderin për furnizim me qumësht, pas kallëzimit penal të Lëvizjes Vetëvendosje.
Një muaj pas këtij kallëzimi, Ahmeti ka paditur Vetëvendosjen për shpifje, duke mohuar akuzat për keqpërdorim të parasë publike.
Këtë veprim të Ahmetit, në ish-partinë e tij e kanë parë vetëm si spektakël mediatik.
E kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Imer Beka, thotë se prokurori i krimeve të rënda, Kujtim Munishi, ka marrë përsipër lëndën ndaj Ahmetit.
Ai shton se kallëzimi penal dhe padia për shpifje për të njëjtin rast, nuk e pengojnë njëra-tjetrën gjatë shqyrtimit.
Ndërkohë, kryetari Ahmeti pati paralajmëruar ditë më parë se do të negocionin çmimin e qumështit me kompaninë “Abrazen”, që ka lidhje me kompaninë “Devolli” dhe e cila nuk ka konkurruar fare këtë vit.
Mirëpo, ky negocim nuk ka nisur ende.