Përfaqësuesi i AAK-së në KQZ punësohet në Telekom

Posta dhe Telekomi i Kosovës

Buletini Ekonomik ka siguruar listën e të punësuarve në Telekom gjatë vitit 2018. Aty figuron edhe emri i Binak Vishajt, anëtarit të subjektit politik AAK në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ). Vishaj në Telekom është punësuar në nëntor 2018, derisa vazhdon të marrë pagë edhe në KQZ.

Binak Vishaj ka tre muaj që po i mban dy poste publike. Njërën në KQZ si përfaqësues i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, kurse tjetrën si këshilltar në Telekomin e Kosovës. Vishaj, derisa ishte anëtar në KQZ, është puënsuar edhe në Telekom, në nëntor të vitit të kaluar.

Buletini Ekonomik ka siguruar listën e të punësuarve në Telekom gjatë vitit 2018 në të cilën ndodhet edhe emri i zyrtarit të lartë të AAK-së.

Reklama e sponzorizuar

Aktivizim i tij në dy poste publike mund të jetë në kundërshtim me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë. Neni 61.8, pika E e ligjit, përcakton se zyrtari nuk ka të drejtë të jetë anëtar i KQZ-së “nëse është zotërues i një posti të lartë publik ose i një posti të lartë në parti politike”.

Anëtarëve aktual të KQZ-së ju ka kaluar madanti prej marsit të vitit të kaluar, por meqë anëtarët e rinj ende nuk janë emëruar nga Presidneti, ata vazhdojnë t’i marrin pagat dhe t’i gëzojnë të gjitha privilegjet.

I kontaktuar nga Buletini Ekonomik, Vishaj ka pranuar së është punësuar në Telekom në nëntor, porse ka thënë se emri i tij nuk ka shkuar tek presidenti edhe për një mandat të dytë në KQZ.

“Prej nëntorit nuk jam anëtar në KQZ. Kam dhënë dorëheqje. Në Telekom jam punësuar në nëntor si këshilltar i përgjithshëm i kryeshefit”, ka thënë Vishaj përmes telefonit.

Mirëpo në KQZ, në uebsajtin e këtij institucioni, ende figuron si anëtar i AAK-së emri i Binak Vishajt. Po ashtu vetë ky institucion e ka heshtur pozicionin e Vishajt në KQZ, përkundër insistimit të gazetës.  

Valmir Elezi, zyrtar për informim në KQZ, i kontaktuar disa herë përmes telefonit dhe emailit zyrtar, nuk është përgjigjur në pyetjet e gazetës, as pas një javë pritjeje.

Mirëpo sipas dëshmive të siguruara nga Buletini Ekonomik, anëtari i AAK-së ka marrë pagë në KQZ së paku deri në dhjetor të vitit të kaluar, një muaj pasi ishte punësuar në Telekom. Edhe në një shkrim të Kohës Ditore, të datës 19 dhjetor 2018, me titull “Zhvatësit e KQZ-së”, në mesin e anëtarëve të KQZ-së që kanë marrë pagë nga ky institucion deri në dhjetor, përmendet edhe Binak Vishaj. “Edhe pasi i ka përfunduar mandati në mars të vitit të kualuar, ai për secilin muaj deri në dhjetor 2018 si anëtar i KQZ-së, ka realizuar pagë prej 1,385.39 eurosh”. Gazeta për këtë rast është referuar tek dokumentet zyrtare.

Buletini Ekonomik e ka pyetur Agjencinë Kundër Korrupsionit, se a përbën ky rast konflikt interesi, por ende nuk kanë kthyer përgjigje. /Buletini Ekonomik/