Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) ka publikuar punimin me titull “Matja dhe vlerësimi i politikave të riintegrimit”. Qëllimi i punimit është të analizojë ndikimin e politikave ekzistuese dhe skemave mbështetëse që adresojnë nevojat e të rikthyerve në Kosovë.
Hulumtuesi nga organizata Demokraci për Zhvillim (D4D), Gersi Gashi, tha se historia e emigrimit të kosovarëve ka pasur disa etapa.
“Janë pesë etapa të emigrimit. E para ka qenë e viti 1969. Emigrantët nuk kanë pasur shkathtësitë dhe kanë qenë punëtorë, e vijmë në vitin 1999, ndërsa vala e fundit është e vitit 2014-15 për të cilën nuk kemi të dhëna të sakta, por që sillet prej 80 mijë deri në 100 mijë emigrantë”, i tha ai sot RTK-së.
Sipas tij, për disa vite janë kthyer mbi 40 mijë persona. Ai tha se është vështirë të merret azil në vende të BE-së.
“Është vështirë të merret azili, 97% të tyre u refuzohet azili, ka persona që mbesin për shkaqe shëndetësore”, tha ai.
Dokumenti përdor tre burime të informatave: (a) të dhënat ekzistuese, (b) anketat e zhvilluara me të rikthyer, dhe (c) grupe të fokusit të mbajtura me përfitues/e të skemave. Gjetjet synojnë të rrisin edhe më tej ndikimin e politikave në riintegrimin e të kthyerve, duke dhënë rekomandime bazuar në gjetjet e hulumtimit. Ky aktivitet mbështetet nga GIZ/DIMAK.