Kontrata sekrete e lobimit: Dyshimet e Auditorit për “punët lobuese” të Majorelle&Pr

Auditori i shtetit ka hedhur dyshime të reja mbi “punët lobuese” të kompanisë franceze Majorelle&Pr, e cila në vitin 2019 u pagua 168 mijë euro nga paratë e taksapaguesve kosovarë.

Shkruan: Agon Sinanaj

“E dyshimtë dhe sekrete”, është cilësuar nga auditorët e shtetit kontrata e lobimit me kompaninë franceze Majorelle&Pr.

Reklama e sponzorizuar

Kontrata në vlerë të 168 mijë eurove është nënshkruar në vitin 2019 nga Dhurata Hoxha, sa ishte në krye të Ministrisë së Integrimit Evropian (MIE).

Një dokument i brendshëm i MIE-së tregon sesi kjo kompani u pagua 168 mijë euro gjatë vitit 2019 për siç thuhet në raport, “shërbime që kryhen me një kërkim në google”.

Aktiviteti kryesor i kompanisë ishte që ta njoftonte ministrinë në baza mujore lidhur me atë se çfarë shkruanin mediat franceze për Kosovën.

“Nga raportimet e këtij operatori ekonomik për shërbimet e kryera në emër të MIE dhe natyrën e shërbimeve, dalin dyshime mbase të bazuara se a i’a ka vlejtë të paguhen 28,000.00 euro në muaj për shërbime të tilla (si p.sh. përcjellja e shtypit francez etj; se a e kanë përmendur ose jo Kosovën, etj;), gjë e cila do mund të bëhej edhe nga Kosova, me një kërkim të thjeshtë duke shkruar fjalën “Kosova” bashkë me datën përkatëse në google”, thuhet në këtë raport.

Tashmë dyshime mbi punën e kësaj kompanie ka ngritur edhe Auditori i Përgjithshëm, në raportin e auditimit për MIE të vitit 2019.

Auditori thotë se në raportimet e bëra në ministri, kompania franceze nuk kishte arritur të japë dëshmi për punët e kryera që i takonin sipas kontratës.

“Bazuar në raportet përmbledhëse nga Operatori ekonomik të cilat i bashkëngjiten faturës, ne nuk kemi hasur në specifika që dëshmojnë se janë pranuar shërbimet e kontraktuara mbi bazën e së cilës ishin ekzekutuar pagesat mujore. Bazuar në raportet përmbledhëse, aktivitetet kryesore ishin monitorimi i mediave për trajtimin e çështjeve që kanë të bëjnë me Kosovën, ndërkohë që ky nuk ishte shërbimi i vetëm sipas specifikave të kontratës”, thuhet në raportin e Auditorit.

Nga pagesat e testuara lidhur me shërbimet e konsulencës, Auditori gjeti se këto janë regjistruar me kodin 14320 si shpenzime për informim publik dhe jo me kodin përkatës 13440 për shërbime të ndryshme intelektuale dhe këshillëdhënëse.

Sipas zyrtarëve kompetent të MIE-së, informacionet e detajizuara lidhur me shërbimet mund të jenë konfidenciale, edhe pse sipas Auditorit të njëjtit kishin mohuar se kjo kontratë ishte e klasifikuar.

“Mungesa e specifikave të qarta dhe të mjaftueshme rreth pranimit të shërbimeve sipas kontratës, rritë rrezikun e pagesave për shërbimet që nuk janë pranuar”, thuhet në raportin e Auditorit.

Buletini Ekonomik në fillim të këtij viti kishte shkruar për këtë kontratë të cilën raportet e brendshme të MIE-së e cilësojnë mjaft të dyshimtë.

Kompania u pagua 168 mijë euro, por në raportimet e saj në MIE nuk arriti ta arsyetojë kryerjen e punëve që i takonin sipas kontratës.

Si aktivitet në raport përmendet “lobimi” i kompanisë për të sjellë në Kosovë gazetarë të huaj për përcjelljen e “Sunny Hill Festival” apo “Dokufest-in”.

“Madje s’kishin arritur të gjejnë interesim të duhur të mediave franceze; ndonëse për këto ngjarje në Kosovë kishin ardhur media nga e tërë bota, sidomos për t’a përcjellur artisten Dua Lipa në “Sunny Hill Festival”, e të ngjashme. Tërë ky “aktivitet” i kompanisë lobuese franceze duket më tepër si një tallje dhe nënҫmim ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës”, thuhet në raportin e MIE.

Ndryshe, kjo kontratë 13 – faqëshe, nga MIE-ja është nënshkruar më datën 28.03.2019 nga Kushtrim Cukaj, Sekretar i Përgjithshëm i MIE-së, nga ish-ministrja e MIE-së, Dhurata Hoxha dhe nga Fitim Mustafa, Zyrtar përgjegjës i Prokurimit në MIE, ndërkaq nga pala franceze nga Sacha Mandel, Drejtor i Majorelle PR & Events.

Në raport saktësohet se kontrata është nënshkruar “bazuar në kërkesën e ministres së MIE, Dhurata Hoxha, të datës 19.02.2019, protokoluar në MIE më datë 21.02.2019”.

Vlera e përgjithshme e kontratës është 168.000 Euro dhe është lidhur për gjashtë muaj, apo me obligim pagese nga 28.000 euro në muaj. /Buletini Ekonomik/