Konferenca dy ditore, “Digitalks”, që u mbajt këtë muaj në Prishtinë, po del se i ka kushtuar goxha shtrenjtë Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë. Rrafsh 30 mijë euro kjo ministri ka planifikuar t’i shpenzojë për kryerjen e shërbimeve rreth kësaj konference, shkruan Buletini Ekonomik.
Në tenderin e shpallur për këtë punë, ministria që udhëhiqet nga Besim Beqaj, ka thënë se gjithë këto mjete planifikon t’i shpenzojë për banera, qese letre, fasiklla, agjenda, bluza, fletore e varse për qafë.
“Shërbime e shtypjes, marketingut dhe shërbimeve të skenografisë për konferencën DIGITALKS 1.Baner 16m2 2. Krijimi i konceptit kreativ 1 cope 3. Zhvillimi i konceptit kreativ 1 cope 4. Qese letre 500 cope 5. Fasiklla 500 cope 6. Agjenda 500 cope 7. Roll baner 5 cope 8. Bluza – maica 500 cope 9. Varse per qafe 500 cope 10.Fletore 500 cope”, thuhet në dosjen e tenderit, të publikuar në KRPP.
Në ceremoninë hapëse të “DIGITALKS”, Ministri i Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, pati folur për rëndësinë e kësaj konference.
“Konferenca synon të jetë një konferencë vjetore që mbledh më shumë se 1,000 palë të interesuara, politikë bërës të nivelit të lartë, akademikë dhe ekspertë të ekonomisë, të cilët do të ndajnë dhe shkëmbejnë praktikat dhe politikat më të mira për nxitjen e inovacionit dhe ndërmarrësisë, me fokus të veçantë në rritjen ekonomike dhe zhvillimin e qëndrueshëm për vendet e Ballkanit Perëndimor”.
Ai kishte thënë po ashtu se konferenca “DIGITALKS” ka karakter ekonomik dhe vjen pas lansimit të Agjendës Digjitale për Ballkanin Perëndimor nga Komisioni Evropian.
Temat e diskutuara në kuadër të kësaj konference kanë qenë: “Ekonomia Digjitale- shtytës i zhvillimit ekonomik“, “Roli i Inovacionit në të ardhmen e dixhitalizimit për vendet e Ballkanit Perendimor”, “Ndikimi i Inovacionit dhe Teknologjisë në rritjen e konkurrueshmërisë në sektorin privat”, “Ndikim i Inovacionit, hulumtimit dhe zhvillimit në mes të sektorit privat dhe komunitetit të shkencës”, si dhe “ Parku Gjermano-Kosovar për Inovacioni dhe Trajnime”. /Buletini Ekonomik/