Ministria e Bujqësisë shpall tender për punët që i kryejnë zyrtarët e saj

Ministria e Bujqësisë planifikon të angazhojë kompani private për ofrimin e shërbimeve që kanë të bëjnë me marrëdhëniet me publikun. Kjo përkundër faktit se në kuadër të kësaj ministrie funksionojnë dy divizione që nën kompetencë e kanë informimin e publikut.

Ardit Kika

Ndonëse në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë funksionojnë dy divizione për komunikim me publikun, kjo e fundit po synon që ta angazhojë edhe një kompani private. Vlera e tenderit parashikohet të jetë 15 mijë euro, ndërsa shumë prej punëve që do të kryhen nga kompania, janë nën kompetencën e Zyrës për Informim të kësaj ministrie.

Reklama e sponzorizuar

Përveç Divizionit për Informim, në këtë ministri funksionon edhe Divizioni për Asistencë Teknike, Komunikim dhe Publicitet, bazuar në Rregulloren e Organizimit të Brendshëm të kësaj ministrie. Së bashku, këto divizione kryejnë punë që kanë të bëjnë me komunikimin me publikun.

Njoftimi për kontratë që mban datën 4 mars 2019 mban titullin “Shërbime të PR-së për politikat dhe aktivitetet e MBPZHR-së” dhe parasheh kryerjen e punëve si përgatitja e storjeve, reportazheve në terren, temave, organizimi i konferencave për media, shkrimi i komunikatave e reagimeve (në bazë të nevojës së ministrisë), monitorimi i mediave, paraqitja e ideve dhe propozimeve në dobi të imazhit të ministrisë, promovimi i aktiviteteve dhe bërja e intervistave për çështje aktuale.

Shefja e Divizionit për Komunikim në MBPZHR, Leonora Behluli Arifi, është përgjigjur se tenderi është shpallur për shkak se ka nevojë për ndihmë profesionale në divizion.

“Ne si divizion na nevojitet ndihmë profesionale për realizimin e qëllimeve tona, pasi në DKP aktualisht bashkë me udhëheqësin e divizionit jemi vetëm dy zyrtarë që i mbulojmë gjitha nevojat dhe kërkesat në të cilat obligohemi”, ka thënë ajo për Buletinin Ekonomik.

Bekolli: Në MAP nuk lidhen kontratat për punët që i kryejnë zyrtarët shtetërorë

Buletini Ekonomik e ka pyetur Ministrinë e Administratës Publike në lidhje me ligjshmërinë e lidhjes së kontratave me kompani për punët që një divizion i ka nën kompetencë.

Zeqir Bekolli, udhëheqës i Divizionit për Komunikim Publik në MAP, pa e komentuar anën ligjore, ka thënë se “në MAP nuk lidhet kontratat për punët që i kryejnë zyrtarët shtetërorë brenda institucionit sepse kjo do të thotë se kryhen punë të dyfishta”. Ndërsa, ka shtuar ai, për punët që nuk mund të kryhen brenda ministrisë që sipas Bekollit lidhen për punë specifike profesionale ka raste që lidhen kontrata.

Sipas burimeve të besueshme të Buletinit Ekonomik përveç punës për trajnime dhe në përpilim dokumentesh Asistenca Teknike bën edhe sesione dhe broshura informuese.

Nga ana tjetër, Rregullorja për Organizimit të Brendshëm e MBPZHR-së përcakton se Divizioni për Komunikim Publik organizon konferenca për shtyp, bën njoftime, deklarata, raporte, publikime të ndryshme mediale, mirëmban faqen, zbaton planin e komunikimeve të ministrisë, koordinon qasjen në dokumente publike dhe jep përkrahje profesionale për komunikim dhe informim të publikut.

Sipas dosjes së tenderit, kompani e përshtatshme për të fituar në këtë tender është ajo kompani mediale që ka së paku: “2 kontrata  në tri vitet e fundit për shërbime të ngjashme me institucione ose organizata tjera”, 1 kameraman, 1 montazhier dhe 3 gazetarë të ekonomisë. Më tej, shefja e DKP-së, Behluli Arifi, ka bërë të ditur se kohëzgjatja e kontratës është 1 vjeçare. /Buletini Ekonomik/