“Duhet ndalur kjo praktikë që dikush e ka më së afërti me pushtetin për të punësuar njerëzit e vet nga Partia Demokratike e Kosovës dhe çdo parti tjetër. Këta njerëz duhet të ndalen dhe do t’i ndalim”, është shprehur Kadri Veseli, më 18 mars.
Por, hiç më larg se verën e kaluar asistentja personale e kreut të PDK-së, Kadri Veseli, arriti të punësohet në Bankën Qendrore të Kosovës.
Sadete Popaj nisi punën në PDK si asistente e Kadri Veselit qysh kur ai ishte nënkryetar partie dhe ka vazhduar të punojë edhe kur ai u bë kryetar partie, derisa u punësua në BQK.
Më 28 qershor të 2018-s, ajo u rekrutua në pozitën – zyrtare e re e Mbikëqyrjes së Sigurimeve.
Vetëm një muaj pas saj, në BQK vend pune iu sigurua edhe Hyra Dibrës, motrës së ish-deputetes së PDK-së, Valbona Dibra.
Banka Qendrore e Kosovës, ka thënë se në të dyja këto raste, Komisioni i ka vlerësuar ato më pikë maksimale.
“Sahadete Popaj është punësuar në BQK sipas konkursit të shpallur me datë 20 qershor 2018. Ndërsa, Hyra Dibra është punësuar sipas konkursit të shpallur me datë 10 gusht 2018. Komisioni për vlerësim, pas përfundimit të procesit për rekrutim, ka vlerësuar se kandidatet kanë arritur numrin më të lartë të pikëve nga testi me shkrim dhe intervista, prandaj janë përzgjedhur për pozitën, Zyrtare e re e Mbikëqyrjes së Sigurimeve dhe respektivisht në pozitën Zyrtare e Burimeve Njerëzore”, thuhet në përgjigjen e BQK-së për KTV-në.
“ Ligji është si llastiku” dhe “Forca e bën fuqinë” janë dy shprehjet që e bënë të njohur për publikun të parin e Drenasit, Ramiz Lladrovci.
Kuptimin e tyre, Lladrovci e ka dëshmuar në fuqinë e tij për ta punësuar të bijën në institucionin kryesor financiar në Kosovë.
E bija e tij, Kosovare Lladrovci, u punësua si Zyrtare e re për Rishqyrtim në Bankën Qendrore të Kosovës, gjatë kohës sa në krye të saj ishte Bedri Hamza, tash ministër i Financave.
Hamza, në marsin e vitit 2013, u bë guvernator i BQK-së.
Por, ai nuk e përfundoi mandatin e guvernatorit, sepse u kthye tek arka e shtetit në shtatorin e 2017-s, kur në pushtet erdhi koalicioni PAN.
Pak muaj më vonë, në shtatorin e 2013-s, në BQK u punësua Taulant Syla, në pozitën – ekonomist për stabilitet financiar.
Taulanti është i biri i Ismail Sylës, njëri ndër këshilltarët më besnik të presidentit Hashim Thaçi, pasi për vite me radhë i qëndroi në krah duke e këshilluar.
Hamza, po ashtu ka ngritur në detyrë edhe Albulena Xhelili – Berishën, të bijën e Fatmir Xhelilit – deputet i PDK-së, e cila në marsin e 2016-s u emërua në pozitën e drejtoreshës së Departamentit për Licencim dhe Standardizim.
Ajo është ndër të paktat punonjëse të BQK-së që marrin dy paga nga shteti, sepse është gjithashtu asistente në Fakultetin Ekonomik të Prishtinës.
Një tjetër familjare e një deputeti të PDK-së, u gradua në BQK, në kohën kur me këtë institucion menaxhonte Hamza.
Ramize Ramadani, kushërirë e Ilmi Reçicës, gjeti punë aty. Sipas BQK-së, Ramadani u bë pjesë e institucionit përmes konkursit të 27 nëntorit 2010, në pozitën e mbikëqyrësit nga jashtë.
Më 2013-n, ajo u zgjodh udhëheqëse e divizionit për mbikëqyrje në vend, ndërsa në vitin 2018 u gradua si drejtoreshë e Departamentit të Mbikëqyrjes së Sigurimeve.
Për të gjitha këto punësime e gradime, Banka Qendrore e Kosovës thotë se u zhvilluan në pajtueshmëri të plotë me të gjitha standardet e rekrutimit, ishin transparente dhe objektive, duke mohuar ndikimet nga palët e treta.
“BQK-ja vazhdon të kryejë të gjitha funksionet e saj me një numër relativisht të vogël punonjësish, në krahasim me të gjitha bankat tjera qendrore të rajonit. Numri i të punësuarve në BQK, është më i ulët edhe në krahasim me Bankën Qendrore të Malit të Zi, e cila i shërben një numri më të vogël të qytetarëve dhe ashtu si Kosova, shfrytëzon euron si valutë zyrtare, e nuk ka valutë kombëtare. Në BQK, nuk ka asnjë valë punësimesh, por vetëm plotësim të pjesshëm të pozitave vakante të krijuara si pasojë e pensionimit, dorëheqjeve të stafit ose zhvillimit të funksioneve të reja”, thuhet në përgjigjen e BQK-së.
Banka Qendrore është përdorur edhe nga parti të tjera në pushtet e opozitë për poste të rëndësishme, për të cilat KTV-ja do të raportojë gjatë javës.