Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona për mashtrim dhe falsifikim të dokumenteve. Ata ishin hetuar pasi në faqe të ndryshme në Facebook, kanë treguar me punime të diplomës.
Hetuesit policorë nga Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike-Prishtinë, në fillim të këtij viti, kanë filluar hetimet pasi në rrjetin social (Facebook) dhe në faqen e blerjeve online ‘merr-jep’, kanë hasur njoftime të tilla si: ‘punojmë tema diplome…’, duke vendosur edhe çmimin e këtij shërbimi (zakonisht 300 euro).
“Policia për këtë dukuri ka njoftuar Prokurorinë Themelore në Prishtinë dhe ka kërkuar lejimin e masave të fshehta të hetimit, në rastin konkret ‘blerje e stimuluar’. Në mesin e janarit ka filluar përdorimi i këtyre masave dhe ka përfunduar sot, më 7.3.2019, me momentin e dhënies së parave ‘hartuesve/përpiluesve të temave të diplomave’”, thuhet në njoftimin e Policisë, transmeton Gazeta Express.
Policia njofton se në flagrancë, nën dyshimin për përfshirje në veprat penale: ‘falsifikim i dokumenteve’ dhe ‘mashtrim’, policia ka arrestuar dy të dyshuarit A.S dhe F.E.
“Pas intervistimit në prani të avokatëve mbrojtës, dy të dyshuarit, me aktvendim të prokurorit kompetent, dërgohen në mbajtje për 48 orë”.