Ndërtimi i autostradës “Arben Xhaferi” ka filluar qysh në vitin 2014, kurse gjithë punët sipas planit e marrëveshjes fillestare ka qenë dashur të përfundojnë në fillim të vitit 2018. Ndërkohë në shtator të vitit 2017, Qeveria e Kosovës arrin marrëveshje të re me drejtuesit e kompanisë “Bechtel&Enka”, që autostrada të jetë e gatshme për qarkullim më së largu deri me 31 dhjetor të vitit 2018. Mirëpo, tash kur jemi në muajin mars të vitit 2019, autostrada ende nuk është kryer tërësisht.
E një datë se kur do të përfundojnë punimet dhe autostrada do të jetë e plotë për qarkullim nuk kanë mundur ta japin as tani zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit (MIT).
Aktualisht në autostradën Prishtinë – Shkup kompania “Bechtel&Enka” është duke i bërë vetëm disa punë të vogla por punimet me intensitet më të lartë, në gjithë gjatësinë e mbetur për ndërtimin e kësaj rruge, pritet të fillojnë me ngritjen e temperaturave.
Në MIT tregojnë se janë edhe 5.7 kilometra në të cilat do të punohet dhe më pas do të përfundojë i gjithë projekti.
“Aktualisht janë duke u zhvilluar disa punime të cilat i lejojnë kushtet atmosferike të tashme. Me ngritjen e temperaturave kur edhe fillon sezoni ndërtimor punët do të intensifikohen drejt përfundimit të autostradës Prishtinë – Shkup “Arbën Xhaferi”. Në këtë gjigant infrastrukturor ka përfunduar pjesa më e madhe e punimeve. Punët që kanë mbetur për t’u përfunduar janë vetëm në pjesën e urës që është rreth 5.7 kilometra”.
Edhe për përfundimin e punimeve, në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit thonë se janë të varur nga moti dhe koha.
“Varësisht prej përmirësimit të motit, edhe punët në “Arbën Xhaferi” do të përfundojnë sa më shpejt që të jetë e mundur”.
Ky projekt infrastrukturor buxhetit të Republikës së Kosovës i ka kushtuar diku mbi 600 milionë euro.
Madje vonesat në pagesa dhe zvarritja e punimeve gjatë ndërtimit të autostradës që synonte të shkurtonte largësinë mes Prishtinës dhe Shkupit, i kushtoi buxhetit të shtetit miliona euro humbje.
Shteti i Kosovës u detyrua që t’i paguajë kompanisë “Bechtel&Enka”, e cila po e ndërton autostradën për Shkup, “Arbën Xhaferi”, hiç më pak se 53 milionë euro shtesë për shkak të vonesave në kryerjen e pagesave. Deri tani nga 53 milionët, shteti i ka dhënë kompanisë 25 milionë dhe pjesa tjetër do të paguhet ditët në vazhdim.
Por, pagesat shtesë për kompaninë “Bechtel&Enka” mund të mos mbarojnë me kaq. Kjo sepse në kontratën bazë mes Qeverisë së Kosovës dhe kompanisë parashihen edhe punët shtesë që mund t’i dalin punëkryesit gjatë ndërtimit të autostradës. Deri në 10 për qind të totalit të vlerës së kontratës, mund të shkojë kostoja për punët shtesë, që kthyer në para mund të shkojë mbi 60 milionë euro tjera. /Monitor.al/