Ministria e Financave nga fillim viti i 2018-ës në çdo tre muaj të vitit ka marr vendim për lirim nga tatimi doganor dhe tatimi i akcizës për bizneset prodhuese në Kosovë. Këto lirime kanë të bëjnë me lëndën e parë, gjysmë produktet, linjat e prodhimit, pajisjet e TI-së, lëndët ndihmëse të cilat marrin pjesë në procesin e prodhimit dhe pjesët rezervë për linjat e prodhimit.
Sipas një njoftimi nga Ministria e Financave, po ashtu, janë marr një varg reformash fiskale në Tatimin e Vlerës së Shtuar, ku përmes Ligjit i cili është në Parlamentin e Kosovës do të lirohen nga Tatimi i Vlerës së Shtuar lënda e parë që prodhohet në vendin tonë për prodhues si dhe do të thjeshtëzohen procedurat e kthimit të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar.
“Çka është më thelbësorja që ndodh për herë të parë në vendet e rajonit tonë, fillimi i mbledhjes së TVSH-së nga kufiri në import në brendi të vendit”, thuhet në komunikatë.
Në komunikatë thuhet se këto lehtësira pritet të ndodhin edhe tek importi i shtazëve.
“Gjatë analizave tona në Ministri të Financave kemi konstatuar se edhe në sektorin e bujqësisë përkatësisht te blegtoria, importimi i kafshëve duhet liruar nga tatimi doganor me qëllim që të ju mundësohet të gjithë qytetarëve dhe fermerëve që me kosto sa më të ulët të kenë mundësi të importojnë kafshë në vendin tonë me qëllim të zgjerim të kapaciteteve të tyre prodhuese”.
Më tutje në komunikatë thuhet se ministri Hamza ka informuar Qeverinë se përveç lirimit nga tatimi doganor të kafshëve për disa kategori që e lejon Ligji i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar në fuqi, do të merr vendim për ta ulur Tatimin e Vlerës së Shtuar nga shkalla 18 % sa është sot në shkallën e ulët 8 %.
Ministri Hamza e theksoi edhe njëherë se nuk do të ketë rritje të tatimeve ekzistuese dhe nuk do të ketë tatime të reja për qytetarët dhe bizneset në Kosovë, por do të ketë lirime dhe thjeshtëzim të procedurave.