Kujdes, shtohen rastet me para të falsifikuara në Kosovë

Rastet e falsifikimit të parasë kanë shënuar rritje në tremujorin e parë të këtij viti, krahasuar me periudhën e fundivitit 2018. Nga 55 raste sa ishin në dhjetor të vitit 2018, në janar ishin 67 raste.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, ka bërë të ditur se dhjetori i vitit të kaluar është mbyllur me 55 raste të falsifikimit të parasë, kurse këtë vit, janari me 67 raste, për të shënuar një rënie të vogël në muajin shkurt, me 61 raste të falsifikimit të parasë.

Në përgjigjen e Policisë së Kosovës lidhur me këtë çështje, thuhet se ky institucion ka realizuar një numër të madh të aktiviteteve policore kundër veprave penale, përfshirë edhe ato që sipas Kodit Penal cilësohen “falsifikim i parasë”.

“Në dhjetor janë 55 raste të falsifikimit të parasë, në janar 67 raste dhe në shkurt 61. Në këtë kontekst në kemi realizuar edhe një numër të aktiviteteve policore edhe kundër veprave penale që sipas Kodit Penal cilësohen “Falsifikim i parasë” dhe mund të konkludojmë se si rezultat i këtyre përpjekjeve operacionale janë konfiskuar dëshmi relevante dhe personat e dyshuar të involvuar në raste të tilla në konsultim me organet kompetente të drejtësisë janë trajtuar konform ligjeve të aplikueshme”, ka thënë ai, për KP.

Reklama e sponzorizuar

Hoxha ka folur edhe për përkushtimin e Policisë të Kosovës për mirëqenien e qytetarëve të vendit.

“Policia e Kosovës në funksion të realizimit të detyrave dhe autorizimeve ligjore, ka ndërmarrë veprime të vazhdueshme për zbatimin e planeve policore, luftimin e dukurive negative, krimin organizuar, si dhe reduktimin aktiviteteve ilegale në përgjithësi, të cilat mund të ndikojnë edhe në mirëqenien e qytetarëve të Republikës së Kosovës”, është shprehur ai.