Deputeti Zemaj ka kërkuar nga Bedri Istrefi të dijë nëse ka marrëveshje, e cila parasheh që të rinegociohet pjesa për 30 milionëshin, në mënyrë që të vazhdohet me kontratën.
Ndërkaq, deputetja Haxhiu ka kërkuar informacione rreth deklaratës se Shatri-Berishës se Telekomi ka vlerë 26 milionë euro.
Gjithashtu, ka kërkuar të dijë arsyet e punësimeve enorme, sidomos kohët e fundit. Ka pyetur edhe rreth vonesës së implementimit të Kodit 383.
Shatri- Berisha, është përgjigjur duke thënë se deklarata e saj për vlerën e Telekomit, është e bazuar në vlerën e aksioneve. Ka shtuar se nuk ka thënë se e tërë vlera e Telekomit është 26 milionë euro. Sa i përket punësimeve, ka thënë se të gjithë kanë kontrata.
E pyetur nga Haxhiu se si u bë që të punësohen familjarë te anëtarëve të bordit e të zyrtarëve të tjerë, Shatri- Berisha ka thënë se nuk është kompetente për të komentuar atë pjesë.
Rreth punësimeve Istrefi, ka thënë se të punësuarit kanë kontratë për kohë të caktuar.
Ka shtuar se është pilot-projekt, që skadon muajin e ardhshëm. “Nëse e shohim se kemi nevoje për shitjen e produkteve ende, unë do t’ua vazhdojë kontratat. Nuk më intereson familjar i kujt është. Deri më tani është shënuar sukses”, ka thënë ai.
Sa i përket “kontratave të dëmshme”, Istrefi ka thënë se ato i kanë gjetur kështu siç janë tani.
“Fati i mirë është se me to tani po merren policia e prokuroria. Pa një vendim të gjykatës, që thotë se janë te dëmshme ose jo, ne nuk guxojmë t’i shkëpusim ato. Dëmi do të ishte tepër i madh”, ka thënë ai.