Klasat në disa shkolla të Komunës së Pejës kanë nisur të zbrazen prej ikjes së nxënësve në vendet perëndimore me familjet e veta. Braktisja e shkollës, siç alarmojnë në Drejtorinë e Arsimit në Pejë, është bërë gjithnjë e më e theksuar në dy vjetët e fundit.
Vetëm në gjysmëvjetorin e parë të këtij viti shkollor, shkollat e Pejës i kanë braktisur 140 nxënës, shkruan sot Koha Ditore.
“Kemi një ikje industriale. Prindërit kanë ikur më herët jashtë dhe tash kanë filluar me i marr familjet e veta. Ka ikje dhe do të ketë ikje dhe këtë nuk po e pengon askush. Janë duke u zbrazur fshatrat e lagjet e Pejës. Dy vjetët e fundit është shumë e theksuar dhe është brengosëse se çka po ndodh, sepse jemi duke mbetur pa nxënës”, alarmon drejtori i Arsimit, Besim Avdimetaj.