SBASHK del me kërkesë të re në këmbim të zëvendësimit të orëve të humbura

Sindikata e Bashkuar e Arsimit ka gjetur një arsyetim të ri në këmbim të zëvendësimit të orëve të humbura gjatë grevës. Këtë herë janë duke kërkuar ndryshimin e koeficientëve për mësimdhënësit e ciklit klasor në mënyrë që të barazohen me mësimdhënësit e ciklit lëndor, raporton Gazeta Express

Përmes një komunikate dërguar mediave, nga SBASHK po thonë se janë të vendosur që të presin vendimin e Gjykatës për zëvendësim të orëve.

“Nëse MASHT dhe deputetët në një seancë të parlamentit ndryshojnë koeficientet për mësimdhënësit e ciklit klasor dhe e barazojnë me ato të mësimdhënësve të ciklit lëndor, atëherë për hir të kolegëve të ciklit klasor do të apelojmë te mësimdhënësit e Kosovës që të zëvendësojnë mësimin për një javë në fund të vitit mësimor”, thuhet në reagim

Reklama e sponzorizuar

Tutje, ata kanë bërë të ditur se sot gjatë ditës janë takuar edhe me Ministrin e Arsimit, Shyqyri Bytyqin, ku kanë diskutuar për situatën aktuale dhe ku kanë paraqitur kërkesën e re për ndryshim të koeficientit.

“Kryetari i SBAShK-ut në këtë takim paraqiti edhe një mundësi para Ministrit Bytyqi që kjo gjendje të zhbllokohet nëse Ministri Bytyqi bashkërisht me deputetët e partisë Nisma Socialdemokrate dhe deputetët e partive tjera të ftojnë një seancë të jashtëzakonshme me qëllim të përmirësimit të koeficientit për mësimdhënësit e ciklit fillor 1 deri 5 në Ligjin e pagave dhe të barazohet me koeficientin e mësimdhënësve të ciklit të mesëm të ulët 6 deri 9 pasi Ligji i pagave është në fuqi dhe ka dalë në Gazetën zyrtare, ndërsa zbatimi i tij fillon në fund vit dhe në këtë rast SBAShK do të merr për obligim të bisedoj me mësimdhënësit që në fund vitin shkollor 2018/2019 të zëvendësojnë një javë në shenjë të vullnetit të mirë për mësimdhënësit e ciklit fillor 1-5”, shkruhet në komunikatë.

Ndryshe, këtë javë Ministria e Arsimit kishte kërkuar që të mos mbahet pushimi pranveror por të zëvendësoheshin orët të cilat ishin humbur gjatë grevës. Mirëpo, këtë kerkesë nuk e kanë përfillur SBASHK-u./Gazeta Express