“Versioni final i Autostradës së Dukagjinit, 60 milionë euro më i shtrenjtë”

Shefi i Grupit Parlamentar i LDK-së, Avdullah Hoti, thotë të jetë takuar me përfaqësuesit e qytetarëve të Rahovecit, me të cilët ka biseduar rreth autostradës së Dukagjinit.

Nga ta ka marrë detaje, për çka edhe vet ata ka kohë që ankohen, se kjo autostradë, si versioni final i aprovuar nga MI-ja, do të kushtojë 60 milionë euro më shtrenjtë dhe do t’i dëmtojë tokat bujqësore.

Në takimin që kisha me përfaqësuesit e qytetarëve të Rahovecit, që po e kundërshtojnë trasenë e autostradës së Dukagjinit, u informova në detale për këtë projekt që lidh Pejën me Prizrenin. Kundërshtimi i tyre bazohet në faktin se me trasenë e paraparë përgjatë Drinit të Bardhë, qasja në autostradë për shumicën e vendbanimeve të Rahovecit do të jetë 25 deri 30 kilometra. Kjo trase i dëmton tokat bujqësore të klasit të parë, e dëmton rrjedhën e natyrshme të Drinit të Bardhë dhe e bllokon qasjen e banorëve në këtë lum, që është burim i jetës për rrafshin e Dukagjinit. Po ashtu, kjo trase llogaritet të jetë rreth 60 milionë euro më e shtrenjtë”, ka shkruar Hoti.

Reklama e sponzorizuar

Kujtojmë se Varianti 6 i projektit për “Autostradën e Dukagjinit”, nuk mori përkrahjen e qytetarëve të Rahovecit, ani pse ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ishte zotuar se do të jetë i duhuri për të gjitha qytetet.

Hoti, i cili zhvilloi sot takimin në Rahovec, thotë se propozimi i tyre është që të ndiqet varianti i trasesë që kalon afër fshatit Gexhë, pastaj afër fshatit Sopniq, në mes të Fortesës dhe Bërnjakës, dhe kodrave përgjatë fshatrave Celinë, Krushë e Madhe, Krushë e Vogël, Piranë, Landovicë dhe lidhet me autostradën për Shqipëri në nyjen në veri të Prizrenit.

“Kjo autostradë sigurisht se e lehtëson qarkullimin e komunikacionit, por ky regjion ka prioritet zgjerimin e sistemit të ujitjes të tokave bujqësore nga Radoniqi. Studimi i fizibilitetit për zgjerimin e këtij sistemi, i nisur në qeverinë paraprake, duhet të jetë i kryer tanimë. Prioritet është edhe impianti i ujërave të zeza, sepse lumenjtë në këtë regjion janë shndërruar në rrjedha të ujërave të zeza, duke e dëmtuar bujqësinë dhe degraduar ambientin”, përfundon shkrimin e tij në Facebook Hoti, duke i bashkëngjitur edhe këtë foto nga takimi.