Ministria e Shëndetësisë ua qet pagat 22 punonjësve pa dalë fare në punë

22 punonjës të komunitetit serb kanë marrë paga nga buxheti i Kosovës përgjatë tërë vitit 2018, pa dalë fare në punë. Ata ishin emëruar nga Ministria e Shëndetësisë e Kosovës, për të kryer punë në Spitalin e Mitrovicës.

Por Auditori i Përgjithshëm ka gjetur se të njëjtit nuk kishin dalë në vendin e punës.

“Zyrtarët e lartcekur në vitin 2018, nuk ishin paraqitur në vendin e punës në Spitalin e Mitrovicës ku ishin përcaktuar me aktemërime, siç i obligon Ligji i punës Nr. 03/L-212 dhe kontrata e punës, përderisa ministria i kishte bërë pagesën e pagave të tyre në shumë të plotë.”, thuhet në raportin e Auditorit për këtë ministri, përcjell Buletini Ekonomik.

Reklama e sponzorizuar

Këta punonjës parashiheshin të sistemohen pas një marrëveshje të Brukselit, përkatësisht në Ligjin nr.04/L-199 për ratifikimin e marrëveshjes së parë ndërkombëtare të parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Qeveria e Kosovës me vendim nr. 06/39 të datës 22.07.2015, kishte aprovuar konkluzionet e dakorduara për Shpërbërjen e të ashtuquajturës “Mbrojta Civile” e cila ka funksionuar në komunat veriore të Kosovës.

Këta punonjës ishin planifikuar të sistemohen nëpër komunat në pjesën veriore të Kosovës. Në Ministrinë e Shëndetësisë pas një procesi të rekrutimit me akt emërime ishin integruar 22 nëpunës të komunitetit serb, ish pjesëtarë të “Mbrojtjes Civile”.

Sipas Auditorit, zyrtarët e lartcekur në vitin 2018, nuk ishin paraqitur në vendin e punës në Spitalin e Mitrovicës ku ishin përcaktuar me aktemërime, siç i obligon Ligji i punës Nr. 03/L-212 dhe kontrata e punës, përderisa ministria i kishte bërë pagesën e pagave të tyre në shumë të plotë.

Vlera e paguar për shpenzimet e pagave për vitin 2018, për 22 zyrtarë ishte 97,733 euro.

“ Kjo ka ndodhur për shkak se nuk ka kontrolle menaxheriale për të siguruar se të gjithë nëpunësit publik do të jenë të pranishëm në vendin e punës gjatë orarit të punës. Pagesa e punonjësve në mungesë të dëshmive të vijueshmërisë në punë dëmton buxhetin e MSh-së, dhe rrit rrezikun e pagesave të parregullta. Ministri duhet të ndërmerr të gjitha veprimet për të siguruar vijueshmërinë e rregullt në punë të këtyre punonjësve duke bërë monitorimin e vazhdueshëm ashtu siç parashihet me aktet ligjore. Nëse problemi nuk mund të zgjidhet brenda ministrisë, kjo duhet të diskutohet në nivel të Qeverisë dhe të nxirren vendimet e duhura”, ka konstatuar Auditori. /Buletini Ekonomik/