Udhëheqësi i Telekomit paralajmëron daljen e 2 mijë e 500 punëtorëve në rrugë

Kryeshefi i Telekomit, Bedri Istrefi, ka thënë se nëse nuk bëhet shpejt një zgjidhje për të mos lejuar shkatërrimin e Telekomit, atëherë, do t’ju prijë 2500 punëtorëve për të kërkuar të drejta në rrugë. Për të mos ndodhur ky skenar, ai u ka bërë thirrje zyrtarëve të Qeverisë të përfshihen në zgjidhjen e kësaj situatë ku një kompani privat po kërkon 25 milionë e 900 mijë euro.

“Jemi duke negociuar. Takimin e radhës e kemi të hënën. Shpresoj shumë se do të gjejmë një marrëveshje që të mos ekzekutohet vendimi i Gjykatës për t’ia marrë Telekomit ato mjete”, ka thënë Bedri Istrefi, Kryeshef i Telekomit.

Ai ka kërkuar ndihmën e Qeverisë për të tejkaluar këtë situatë. Në të kundërtën ka thënë se do të jetë në krye të protestave të 2500 punëtorëve të kësaj kompanie publike.

Reklama e sponzorizuar

“Unë do të luaj rolin e kryesindikalistit dhe do të dalë në rrugë bashkë me punëtorët”, ka thënë Istrefi, për Express, të dielën.

Ai ka thënë se nëse dështon Telekomi do të pësojnë edhe 1 mijë e 300 punëtorë të Postës.

“Shpresoj shumë se edhe Qeveria përmes Ministrisë së Zhvillimit Ekonimik do të përfshihet në këtë proces që mos t’i lëmë më shumë se 2 mijë e 500 punëtorët. Po ashtu, edhe 1300 punëtorët e Postës janë të varur nga Telekomi dhe gjithsejtë 3800 punëtorë do të mbesin rrugëve”, ka thënë ai.

Këto paralajmërime të Istrefit vijnë pak ditë pasi Z-Mobile përmes një letre zyrtare i ka kërkuar kryeshefit ekzekutiv të Telekomit që në një afat brenda dy javësh të kryhet borxhi prej 25 milionë e 900 mijë eurove.