Ashpërsohet lufta tregtare në Ballkan: Maqedonia e bllokon peshkun e Kosovës

Raportet tregtare mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut janë luhatur ditëve të fundit. Shteti fqinjë ka vendosur që të bllokojë eksportin e peshkut nga Kosova. Ky vendim ka hyrë në fuqi që nga data 01.06.2019. Ndaj këtij veprimi ka reaguar Klubi i Prodhuesve dhe Oda e Afarizmit. Gjatë vitit 2018, Kosova ka eksportuar peshk të gjallë në Maqedoninë Veriore në sasi të 26 tonelatave.

Klubi i Prodhuesve në Kosovë ka reaguar ndaj vendimit që ka marrë Maqedonia e Veriut për ndalimin e importit të peshkut nga Kosova, ndalesë që vjen nga rregullorja për importe transit, ku listës së vendeve të treta u ndalohet importi i peshkut të gjallë që është për rritje apo shitje e që janë me prejardhje nga Kosova.

KPK ka reaguar duke thënë se në asnjë pjesë të rregullores nuk tregohen arsyet e këtij ndalimi. Në reagim ka theksuar se tashmë Maqedonia i shtohet listës së anëtareve të CEFTA-s që s’respektojnë marrëveshjet për tregti të lirë me Kosovën, pas Serbisë, Bosnjës e Hercegovinës dhe Shqipërisë.

Reklama e sponzorizuar

“Ky vendim i dëmton drejtpërsëdrejti bizneset vendore të cilat merren me kultivimin e peshkut, pasi që Maqedonia Veriore ka qenë një ndër tregjet më të rëndësishme për shitjen e peshkut të gjallë nga prodhuesit e Kosovës. Gjatë vitit 2018, Kosova ka eksportuar peshk të gjallë në Maqedoninë Veriore në sasi të 26 tonelatave dhe vlerë të 95 mijë eurove. E në vitin 2019 vetëm në muajin Maj vlera e eksportit ka qenë 23 mijë euro, e që është disa herë më e lartë se muajt paraprak”, thuhet në reagim.

Klubi i Prodhuesve ka kërkuar nga autoritetet e Kosovës që të reagojnë dhe të kërkojnë rishikimin e këtij vendimi nga Maqedonia e të tregohen arsyet e vërteta të ndalimit.

“Por edhe të kërkojnë që të marrëveshjet për tregti të lirë të zbatohen dhe bllokada të tilla të cilat dëmtojnë prodhuesit kosovarë të mos jenë praktikë në të ardhmen”, thuhet në fund të reagimit.

Kurse, Oda e Afarizmit të Kosovës shprehet shumë e shqetësuar me vendimin që ka marr Republika e Maqedonisë Veriore për ndalimin e shitjes së rasadit të Peshkut nga Kosova.

Sipas tyre ky shqetësim është pranuar nga biznesi anëtar “Trofta Istog”.

“Ky vendim ka hyrë në fuqi që nga data 01.06.2019 me të cilin ndalohet importi i peshkut të gjallë që dedikohet për rritje ose mbushjen e hurdhave me peshq të vegjël me prejardhje nga Kosova. Me këtë rast Kompanisë Trofta pa paralajmërim të mëparshëm i është kumtuar marrja e këtij vendimi”, thuhet në kumtesën e OAK.

“Me këtë vendim, jo vetëm që janë dëmtuar bizneset vendore të kultivimit të peshkut e Kompania Trofta në veçanti, por të shqetësuar janë edhe tregtarët maqedonë të cilët nuk po munden që të furnizohen nga Kosova. Me këtë vendim zvogëlohet edhe më shumë Eksporti i Kosovës i cili edhe ashtu është jashtëzakonisht i ulët (90% importojmë dhe 10% eksportojmë)”.

Ata thonë se është vendosur edhe një taksë prej afër 700 euro për çdo hyrje të kamionëve të peshkut në Maqedoni.

“Biznesi pohon se është i gatshëm që në çdo kohë të pres inspektorët që të inspektojnë vendin dhe të kryhen analizat e nevojshme në një shtet të tretë, të cilat veçse i posedon”. Në lidhje me këtë OAK i është drejtuar me një letër Ministrit të Tregtisë dhe Industrisë për të marrë masa urgjente për shfuqizimin e këtij vendimi nga ana Maqedonisë Veriore. Gjithashtu, është njoftuar edhe Kryeministri i Kosovës, Ministri i Zhvillimit Ekonomik dhe AVUK-u.

Gjatë vitit 2018, Kosova ka eksportuar peshk të gjallë në Maqedoninë Veriore në sasi të 26 tonelatave dhe vlerë të 95 mijë eurove. E në vitin 2019 vetëm në muajin Maj vlera e eksportit ka qenë 23 mijë euro, e që është disa herë më e lartë se muajt paraprak. /monitor.al