Ky shkrim është strukturuar në dy pjesë, për të përfshirë zhvillimet dixhitale bashkëkohore dhe efektin e tyre në politikat menaxheriale të bizneseve (pjesa e parë), si dhe sfidat që sjellin këto ndryshime dixhitale në aplikimin e politikave tatimore (pjesa e dytë).
Pjesa I
Një nga gjërat që më mahnit është ndërthurja e botës virtuale me botën reale. Kujtoj habinë që më ngjallte para shumë vitesh filmi Matrix; fantashkencë -aplikimi i fantazisë në shkencë. Nuk e kuptoja. E sot kanë ardhur, për të gjithë ne, kohëra të pakuptueshme.
Prania e Inteligjencës Artificiale në çdo sferë të jetës është bërë e pashmangshme. Çdo shtëpi në botën e zhvilluar ka një familjar të ri që quhet Alexa (produkt i Amazon) që na tregon nëse nesër do të bjerë shi, nëse jemi të mërzitur, na kujton që duhet të marrim në telefon prindërit, duhet të pimë ilaçin e ri kundër një sëmundje të re, etj. Ndërkohë që po shkruaja, më erdhi ndër mend filmi Her me Joaquin Phoenix…
VR (Virtual Reality ose Realiteti Virtual) është nga avancimet më të fundit të shkencës dixhitale. Të shohësh në vetë të parë gjëra që nuk mund t’i shohësh në realitet, të përjetosh ndjesinë e fluturimit, ose të mund të bësh një xhiro me McLaren-in e Hamilton, nuk është pak. Për më tepër, imagjinoni ku mund të arrijë aplikimi i AR (Augmented Reality ose Realitet i Zmadhuar). Ju kujtohet Pokemon Go? Nëse jo, jeni shumë i vjetër për këtë artikull. Imagjinoni – në fakt nuk keni pse ta imagjinoni sepse po ndodh – sikur AR të bashkohet më mikroprocesorët e lenteve dhe të mund ta shohim realitetin ndryshe, ndoshta më të bukur, por jo nëpërmjet aparateve elektronike, por drejtpërdrejt.
Nga ana tjetër, teknologjia Big Data po proceson dhe po analizon aq shumë të dhëna, duke bërë që kompanitë që e përdorin dinë aq shumë rreth nesh, saqë edhe psikanalisti më i mirë do të dukej amator përpara tyre. Të mos harrojmë që shumë thonë se Trump fitoi zgjedhjet falë kësaj teknologjie.
Revolucioni dixhital konsiderohet si Revolucioni i Tretë Industrial. Kalimi nga teknologjia mekanike në teknologjinë dixhitale nisi që në gjysmën e dytë të shekullit XX, por mori përmasa globale me fillimin e shekullit XXI. Në fillim të viteve 2000, aparatet celulare u kthyen në smart dhe shumica e popullsisë filloi të përdorë internetin. Të mendosh që vetëm para pak vitesh nuk ekzistonte interneti, ndërsa në 2005 kishte 1 miliard njerëz online; në 2012, 2 miliardë dhe në 2016, gjysma e popullsisë globale ishte e lidhur me internet.
Ky dixhitalizim, përveç ndikimit që ka në jetën tonë të përditshme, po ndikon në mënyrë të konsiderueshme edhe në botën e biznesit. Kompanitë po përpiqen t’u adaptohen nxitimthi ndryshimeve, sepse brezi i ri (iGeneration ose digital natives), kërkojnë efikasitet, shpejtësi në shërbime dhe dixhitalizim të të gjitha aspekteve të jetës. Inovacioni do të jetë (dhe në disa sektorë është) kryefjala e botës së bizneseve. Kompanitë që nuk rinovojnë do të dalin shumë shpejt nga tregu, sepse konkurrenca në këtë fushë do të jetë e pamëshirshme.
Ndërsa lexoja mbi efektet që ka dixhitalizimi në biznes, përveç atyre që shumëkush i njeh ose i merr me mend, më bëri përshtypje fakti se, si pasojë e futjes së dixhitalizimit në biznes, ose e thënë ndryshe, përdorimit të kapacitetit dixhital nga bizneset, një figurë e re është shfaqur në botën tregtare: micro-multinationals, pra multinacionalet e vogla. Deri më sot, për t’u bërë një kompani multinacionale, duhej të përdorje mjetet konvencionale, pra të kishe kapitale dhe infrastrukturë operative gjigante. Por tashmë që gjithçka ka kaluar online, kompani të vogla, por me potencial dixhital, ose që kanë pasur mundësi të përfitojnë nga ekonomia e shkallës nëpërmjet fragmentimit të proceseve tregtare dhe nëpërmjet kontakteve online, po kthehen në aktorë kryesorë, jo vetëm në ekonomi por edhe në punësim.
Një shembull i tillë është BlaBlaCar, një start-up francez i themeluar në vitin 2006, që tashmë është e pranishme në 22 shtete dhe që punëson më shumë se 500 punonjës. Kjo kompani përdor internetin për të krijuar një rrjet social që shërben për të gjetur persona që duan të ndajnë udhëtimin (dhe shpenzimet) me njëri-tjetrin. Ky lloj biznesi dhe të tjerë si ky, nuk do të kishte mundësinë të përhapej shumë më gjerë se sa qyteti në të cilin u ideua, nëse nuk do të ekzistonte teknologjia dixhitale.
Këto trende nuk do të vënë në vështirësi vetëm bizneset, por edhe punonjësit. Profili i punonjësit të së ardhmes nuk është statik, por dinamik, shumëfunksional dhe me njohuri sa të përgjithshme, aq edhe specifike. Do të kenë gjithnjë përparësi personat që do të njohin sa më shumë mjete dixhitale që thjeshtëzojnë punën, dhe kjo jo vetëm në profesionet e IT, por edhe në profesione që tradicionalisht mendohej që pak kanë të bëjnë me teknologjinë, si avokatët, ekonomistët, mësuesit, etj.
Sipas TAXUD, avancimi teknologjik do të ndihet specifikisht nga këto 7 trende kryesore:
- Cloud technology
Cloud technology (ose “teknologjia në re”) po thjeshtëzon, përshpejton dhe fuqizon proceset operative të bizneseve. Mendohet se kjo teknologji mund të ulë kostot e një biznesi deri në 20%. Cloud technology bën të mundur që bizneset të kryejnë aktivitetet e tyre edhe në distancë të largët, pa qenë e nevojshme që të jenë të pranishëm fizikisht dhe në të njëjtën kohë duke ruajtur ose duke përmirësuar cilësinë. Google Suit është një shembull i cloud tech.
- Big Data
Big Data ka qenë në zemër të inovacionit dixhital, duke u bazuar në analizat e të dhënave globale të komuniteteve të caktuara. Studimet tregojnë që firmat që marrin vendime, duke u bazuar në konkluzionet e dala nga Big Data, janë 5-6% më produktive se firmat e tjera.
- The Internet of Things
Mendohet që në dekadën e ardhshme do të këtë nga 50 miliardë deri në 1 trilion aparate elektrike të lidhura me internetin. Kjo është the Internet of Things (Interneti i Gjërave), ku pothuajse çdo aspekt i jetës njerëzore është i lidhur online dhe çdo lëvizje, çdo pëlqim ose dëshirë, çdo karakteristikë e gjithsecilit përdoret për t’u analizuar dhe për të dalë në konkluzione mbi një individ, mbi një grup individësh ose mbi të gjithë popullsinë globale.
- Robotika e avancuar
Robotika po sheh një avancim të madh jo vetëm në botën industriale, por edhe në shkencat humane dhe në mjekësi. Robotët po bëhen të aftë të bëjnë aktivitete delikate të një precizoni të lartë dhe të jenë gjithnjë e më të pavarur. Njëkohësisht kostoja e prodhimit të tyre po ulet vazhdimisht. Do të vijë koha kur filmat me robotë do të jenë thjesht një përshkrim i realitetit. Mendohet që robotika do të mund të gjenerojë një impakt ekonomik deri në 4.5 trilionë dollarë në 2025.
- Mjetet motorike të pavarura
Këto mjete mund të ulin ndjeshëm aksidentet rrugore dhe çlirimin e dioksidit të karbonit. Duke përdorur të gjithë teknologjinë që përmendëm më sipër, këto automjete jo vetëm që mund të shmangin aksidentet që zakonisht bëhen nga gabimet njerëzore, por edhe mund të optimizojnë udhëtimet, të shkurtojnë distancat dhe, mbi të gjitha, pasagjerët mund të shijojnë përvojën duke u marrë me gjëra të tjera, ndërkohë që udhëtojnë. Ndikimi ekonomik llogaritet deri në 1.9 trilionë dollarë në vit, duke nisur nga 2025, gjithnjë nëse implementimi i tyre pranohet ligjërisht dhe publikisht.
- Printimi 3D
Nga të gjitha teknologjitë e avancuara, printimi 3D është ai që më shumë mund të ndryshojë bërjen e biznesit, siç e njohim sot. Printimi 3D po “demokratizon” prodhimin, duke i dhënë mundësi çdo entiteti të vogël, madje edhe një individi të vetëm, që të prodhojë produkte për t’i injektuar në treg. Food 3D printingtashmë është realitet (do të revolucionojë kjo industrinë ushqimore?!), por shkencëtarët mendojnë që, në të ardhmen, printimi 3D do të shpëtojë shumë jetë nëpërmjet bio-printimit të organeve jetësore.
- Inteligjenca Artificiale
Çdo gjë që do të shkruaja për Inteligjencën Artificiale do të ishte diçka e vjetruar kur ky artikull të lexohej. Ritmet janë galopante dhe ndikimi në botën tonë është i madh. Në fusha si mjekësia dhe avokatia, Inteligjenca Artificiale po ndikon ndjeshëm në përmirësimin e rezultateve të arritura.
Pjesa II
Pas gjithë këtij përshkrimi të ndryshimit dixhital që po përjeton bota në të cilën po jetojmë, lind natyrshëm (ndoshta për disa jo edhe aq natyrshëm) pyetja: Cilat janë pasojat në fushën e taksave?
Mund të themi që marrëdhënia që ka shteti me avancimin dixhital është marrëdhënia që kemi shumica prej nesh me pagën. Kur na rritet paga, është rritur aq shumë inflacioni sa, në realitet, paga është më e ulët se ajo që kishim më parë. Kështu edhe shteti me kapacitetin e tij dixhital. Fakti që ligjbërësit nuk arrijnë dot të kuptojnë botën dixhitale, do të thotë që kompanitë që përdorin këto kapacitete kanë një hapësirë të lirë veprimi, si nga ana ligjore, ashtu edhe nga ana tatimore.
Si do të taksosh një Cloud Tech kur nga vetë emri kuptohet që nuk është një teknologji fikse dhe fizike? Si do të taksosh kompanitë që fitojnë duke zhvilluar Big Data dhe duke grumbulluar informacion në territorin tënd, por që nuk kanë nevojë të kenë ankëtues fizikë? A janë mjetet motorike të pavarura një Permanent Establishment (Seli të Përhershme)? Si mund të taksosh një start-up, ose një grup të rinjsh, që nëpërmjet një aparati të vetëm Priter 3D, prodhon mikropjesë metalike për automjete dhe i shet në të gjithë botën, duke pasur një fitim stratosferik dhe shumë pak kosto? A duhet të këtë Inteligjenca Artificiale personalitet të vetin juridik dhe/apo fiskal?
Këto dhe shumë të tjera janë pyetje që lënë pa gjumë shumë specialistë të fushës dhe administratat publike në të gjithë botën. Janë marrë shumë masa unilaterale, ekspertë për këtë janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Megjithatë, të gjithë bien dakord që problemet globale kërkojnë zgjidhje globale. Për këtë, OECD me mbështetje të G20, ka marrë një sërë nismash për t’ju ridhënë kuptim parimeve tatimore (kombëtare dhe ndërkombëtare) në kontekstin e ri dixhital.
Hapi i parë ishte diagnostikimi i sistemit aktual, që u bë midis viteve 2013 dhe 2018. U zbulua që problemi thelbësor është që nexus-et (ose lidhëzat e shqipëruar) momentale midis aktivitetit ekonomik të një kompanie me normat e taksimit nuk po funksiononin në sistemin dixhital. Konkretisht, u vunë re fenomene si devijimi i taksimit me vendin ku realisht gjenerohen fitimet; pamundësia e aplikimit të normave të Permanent Establishment; pamundësia për të ndjekur dhe për të taksuar transaksionet financiare; pamundësia për të kontrolluar intangibles (active të patrupëzuara); pamundësia për të aplikuar në mënyrën e duhur normat e transferimit të çmimit (transfer pricing); pamundësia për të shmangur konfliktet midis dy shteteve për të taksuar të njëjtën të ardhur; pamundësia për të shmangur taksimin e dyfishtë; (dhe pamundësia për të parë La Casa de Papel dhe Game of Thrones në të njëjtën Platformë Dixhitale).
(Deri këtu pjesa interesante, pjesa tjetër është praktikisht teknike kështu që nëse nuk ju pëlqen inxhinieria fiskale dhe e lexoni, mos thoni që nuk ju paralajmërova, nëse nuk kuptoni asgjë)
Për këtë, OECD presupozon modifikime të sistemit aktual të taksimit në dy pilare kryesore:
- Ndryshimi i normave të alokimit të fitimit brenda një grupi multinacional;
- Mbyllja e lagunave ligjore për të parandaluar evazionin fiskal dhe zhvendosjen e fitimit (Base Erosion and Profit Shifting – BEPS).
Në shtyllën e parë, ajo çfarë propozon OECD është që të përdoren 3 mënyra të reja për të shpërndarë fitimin, dhe si rrjedhojë tatimin, e grupeve multinacionale:
- User participation. Shpërndarja e fitimit sipas user-ave (përdoruesve) që ka një platforme dixhitale. Ky nexus do t’u aplikohej kompanive si Facebook (Social media platforms), Google (Search engines) dhe Amazone (Online marketplaces). Kjo sepse vlera më e madhe e këtyre kompanive dixhitale është përdoruesi i teknologjisë. Me normat aktuale, edhe pse një kompani mund të ketë shumë përdorues në një territor të caktuar, mund të paguajë shumë pak (ose fare) tatime në atë territor, sepse nuk ka një seli të përhershme.
- Marketing Intangible. Shpërndarja e fitimit sipas kontributit që çdo kompani bën në vlerën e brandit të një Grupi. Ky nexus do t’u aplikohej jo vetëm kompanive dixhitale, por edhe kompanive që përdorin platformat dixhitale për aktivitetin e tyre. Le të imagjinojmë një kompani në sektorin e modës (fashion) që shpenzimin më të lartë (OPEX) e ka në marketing (jo në design) dhe një pjesë të madhe të xhiros e ka në një shtet ku nuk është pranisht fizikisht, sepse arrin të shesë nëpërmjet platformave dixhitale. Në sistemin aktual, shumica e fitimit (për të mos thënë i gjithë fitimi) do të taksohet në rezidencë (në selinë e firmës), dhe shumë pak (ndoshta aspak) në shtetin ku gjenerohet e ardhura, në burim (Source).
- Significant economic presence. Praktikisht është krijimi i një Digital Permanent Establishment (seli të përhershme dixhitale). Pra, nëse një kompani nuk ka prezencë fizike në një juridiksion, por ka prani ekonomike të rëndësishme, atëherë kjo kompani duhet të paguajë tatime në këtë vend, në mënyrë proporcionale. Për të pasur prezencë ekonomike të rëndësishme mund të merren parasysh parametra si fitimi që ka një kompani në një territor, ekzistenca e një baze të dhënash mbi përdoruesit, volumi i përmbajtjes dixhitale (digital content), faturimi sipas rregullave lokale dhe në monedhë lokale, ekzistenca e një faqeje web në gjuhë lokale, mbajtja e përgjegjësisë post-shitje, dhe një aktivitet konstant marketingu. Brenda kësaj kategorie mund të hyjnë për shembull, universitetet online, që nuk kanë prezencë në një territor të caktuar, por që kanë studentë aty, kryejnë aktivitet marketingu, kanë një volum të konsiderueshëm përmbajtje dixhitale, etj.
Ndërsa në pilarin e dytë, OECD mundohet të luftojë BEPS nëpërmjet këtyre dy propozimeve:
- Income inclusive rule. Taksimi i të ardhurave të një filiali, nëse ato të ardhura nuk janë tatuar (ose janë tatuar pak) në vendin ku filiali është vendosur. Ky model do ta kthejë sistemin aktual të tatimit nga tatim mbi bazën e statusit të rezidencës në një hibrid mes tij dhe tatimit mbi bazën e statusit të shtetësisë. Pra një përafrim me parimet tatimore të sistemit amerikan. Ndërkohë, amerikanët duket sikur po bëjnë të njëjtën gjë në drejtim të kundërt me aplikimit e një takse të re të quajtur “GILTI”.
- Tax on base eroding payments. Kjo është një taksë minimale që u aplikohet multinacionaleve, në mënyrë që të mos ulin artificialisht bazën e tyre tatimore. Në reformën e tyre të fundit fiskale (Tax Cuts and Jobs Act), amerikanët e quajtën “BEAT” tax (Base Erosion and Anti-Abuse Tax).
Cila është zgjidhja më e mirë? Nuk ka një zgjidhje të vetme dhe të përsosur. Megjithatë, ndërkohë që pilari i dytë do të shkëpuste, për mendimin tim, së tepërmi sistemin e ri nga parimet tradicionale – nuk e di nëse ky do të ishte një rezultat i mirë apo një handikap – një aplikim i përzier i opsionit të dytë me të tretin (në pilarin e parë), duke e kategorizuar opsionin e parë si “port i sigurt” (safe harbor) në kushte konkrete dhe të mirëpërcaktuara, mund të ishte një zgjidhje e qëndrueshme, derisa inovacioni i radhës të shkundë përsëri nga themelet sistemin e vlerave mbi të cilat kemi krijuar mbarëvajtjen tonë shoqërore. Por një gjë është e qartë, situata të tilla komplekse, kërkojnë specialistë të mirëpërgatitur, sepse situata të vështira do të këtë, por do të mungojnë profesionistët…
*Edland Graci është ekspert i taksimit ndërkombëtar, konkretisht në teknologjitë e reja dhe transaksionet midis grupeve multinacionale. Është Senior Associate në zyrën e Madridit të konsulentes amerikane Duff & Phelps.