Kryeqyteti duket se do të mbetet edhe për një kohë pa parking nëntokësor. Arsye për këtë po del të jetë anulimi i tenderit nga Organi Shqyrtues i Prokurimit. Deri te anulimi i tenderit ka ardhur si shkak i ankesës së njërës prej kompanive që kishte dorëzuar ofertën. Ende nuk dihet se kur do të shpallet tenderi i ri, derisa në Komunën e Prishtinës kanë zgjedhur të heshtin si zakonisht për këtë çështje. Ndryshe, ky parking parashihet t’i ketë rreth 500 vende dhe ndërtimi pritet të kushtojë rreth 12 milionë euro
Tash e gati dy vite, Komuna e Prishtinës vazhdimisht ka dhënë një afat të caktuar kohor se kur do të nis ndërtimi i parkingut nëntokësor në oborrin e Kampusit Universitar në kryeqytet. E që nga viti i kaluar, KP’ja ka qenë në fazën përzgjedhëse të kompanisë e cila do ta ndërtojë këtë parking.
Pasi e bëri përzgjedhjen e ofertuesit të suksesshëm, komunës i doli telashe me një kompani e cila thotë se u eliminua padrejtësisht nga konkursi.
Kompania Nuha Bauunternehmung GmbH & Co. KG & Qamili GbR “Alba Clean”, ka dorëzuar ankesë në OSHP me arsyetimin se komuna nuk i ka dhënë arsyet për të cilat e ka eliminuar nga konkursi. Ndaj kjo kompani pretendon se komuna ka bërë shkelje ligjore duke thënë se kompania është diskriminuar vetëm për faktin se është kompani e cila vepron në Gjermani.
Po ashtu, në ankesën e saj kompania në fjalë kishte shkruar se arsyetimi i Komunës së Prishtinës se kompania nuk i plotëson kushtet arkitektonike të projektet, nuk qëndron.
OSHP’ja tashmë e ka marrë vendimin e saj lidhur me ankesën e kompanisë ndaj Komunës së Prishtinës. Ky organ e ka shpallur si të bazuar këtë ankesë dhe ka vendosur që ta anulojë krejtësisht tenderin e KP’së për parkingun nëntokësor.
Gazeta Express ka tentuar të marrë një përgjigje nga Komuna e Prishtinës për të ditur se si do të veprojë në këtë rast si dhe a do ta rishpallë tenderin, por zyrtarët kompetent nuk kanë qenë të qasshëm.
Ndryshe, Komuna e Prishtinës përgjatë vitit 2018 kishte filluar fazën e parë për ndërtimin e parkingut e që është shpallja e kërkesës për kualifikim, për të vazhduar më pas me shpalljen e kërkesës për propozim dhe për të përfunduar me përzgjedhjen e ofertuesit më të suksesshëm.
Në fazën e parë, atë të aplikimit të ofertuesve kishin aplikuar gjashtë kompani.
Kërkesa për kualifikim ka për qëllim që t’i përzgjedhë kompanitë që kanë potencial financiar dhe operativ për të realizuar projektin, dhe bazohet në kualifikimet minimale teknike si dhe kualifikimet minimale financiare.
Por rreth çështjes së ndërtimit të këtij parkingu, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ishte zotuar se punimet do të fillojnë në vitin 2018, por edhe pse jemi në muajin e pestë të vitit 2019, kjo ende nuk ka ndodhur. Madje me anulimin e tenderit nga ana e OSHP’së, duket se edhe një kohë të gjatë kryeqyteti nuk do ta ketë parkingun nëntokësor.
Ky parking nëntokësor pritet të ketë kapacitet për së paku 500 vetura. Sipërfaqja e ndarë për parking është 13,990 metra katrorë dhe është planifikuar që të ndërtohet në 2 etazhe. Disniveli në pjesën perëndimore të lokacionit mund të shfrytëzohet për ndërtimin e disa lokaleve afariste, në sipërfaqe të përgjithshme prej 500 metrash katrorë.
Një prej pjesëve të rëndësishme të këtij projekti, është parku mbi parking, i cili do të jetë edhe parku qendror i kryeqytetit. /Gazeta Express