Drejtori përgjegjës i MI-së Shatri, u pagua nga EuroLab që ka monopol homologimi

Personi që mund të vërtetohet se është paguar nga kompania EuroLab, që mbanë monopolin në homologim, ishte ulur afër ministrit Lekaj.

Nebih Shatri, që është drejtor i Departamentit të Automjeteve në Ministrinë e Infrastrukturës, në vitin 2012 ishte paguar nga kjo kompani, sipas formularit për deklarimin e pasurisë.

1513 euro, Shatri i kishte deklaruar në rubrikën e të hyrave vjetore si pjesë e Grupit të ekspertëve për vlerësimin e automjeteve, burimi i të cilave ishte kompania EuroLab SHPK.

Reklama e sponzorizuar

Shatri, edhe në vitin 2015 kishte deklaruar të hyra si kompensim për punë në komision, por për dallim, tani nuk ishte deklaruar burimi i tyre.

Në total, përjashtuar ato të vitit 2012, nga viti 2015 deri në vitin e fundit, të hyra për të cilat nuk i ka deklaruar burimin, në llogarinë e Shatrit kanë shkuar 24,780 euro.

Nga Ministria e Infrastruktures, nuk janë përgjigjur në pyetjet nëse Shatri ka marrë kompensime pas vitit 2012 nga EuroLab, dhe për çfarë angazhimesh, e vet drejtori Shatri nuk është përgjigjur as në numrat e telefonit që janë publikuar për departamentin e tij në faqen e kësaj ministrie.

As përfaqësuesi i kompanisë, EuroLab, Kumbim Shala, nuk ka thyer një përgjigje për këtë çështje.

Rasti i Shatrit, nuk evidentohet të jetë trajtuar ndonjë herë as nga Agjencioni Kundër Korrupsion, institucion që po ashtu nuk ka kthyer për këtë çështje.

Agron Demi nga Instituti GAP, për një situatë të tillë që për të paraqet konflikt interesi, kishte reaguar vitin e kaluar në rrjete sociale, dhe mbetet i befasuar me mos-veprimin e institucioneve për këtë rast.

Sipas Demit, fakti që monopoli ka mbijetuar në gjithë këto vite, tregon për interesa personale të zyrtarëve të shtetit.

Shoqëria civile, në vitet e fundit në vazhdimësi ka kërkuar ndërprerjen e monopolit në homologim, çështje që u riaktualizua javën e kaluar, pas kërkesave të shefes së zyrës së BE-së, Nataliya Apostolova.

Për këtë çështje, të martën në komisionin për Zhvillim Ekonomik dhe Infrastrukturë raportuan Ministri Pal Lekaj, bashkë me drejtorin Shatri.