Këshilli i Ministrave dëshpëron Kosovën: Nuk ka viza, taksa të hiqet menjëherë

I ashpër dhe shumë kritik për Qeverinë e Kosovës dhe shtegun nëpër të cilin po ecën Kosova drejt integrimeve evropiane është seksioni i Konkluzave të Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian për vendin, që pothuajse në asnjë pikë nuk pajtohet me praktikat qeverisëse të Qeverisë Haradinaj.

“Vendimi lidhur me propozimin për liberalizimin e vizave është duke u shqyrtuar aktualisht nga Këshilli”, ndërsa “përmbyllja pa shtyrje të mëtejshme të marrëveshjes me Serbinë, me lehtësimin e Përfaqësuesit të Lartë, është qenësore që Kosova dhe Serbia të lëvizin në shtigjet respektive evropiane”.

”Taksa 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë duhet të hiqet menjëherë”.

Reklama e sponzorizuar

Këto janë pikat kryesore të Konkluzave të Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian që do të miratohen në mbledhjen e sotme dhe të cilat Klan Kosova i ka siguruar në tërësinë e tyre.

Ato japin sinjalet më të këqija për Kosovën qyshkur janë dhënë për herën e parë.

Të ashpra, të qarta dhe shqetësuese, ato duhet të jenë sirena alarmi për qeverinë ngaqë në plotninë e tyre përshkruhen nga kërkesa për t’i bërë veprimet ndryshe nga që po bëhen aktualisht.

Në trembëdhjetë nga katërmbëdhjetë pikat të cilat i ka miratuar Këshilli, kërkohet ndryshim – qoftë një dinamikë e re, qoftë një pozicion ndryshe nga ai që aktualisht mban Qeveria e Kosovës. Pra, kërkohet që Qeveria e Kosovës t’i adresojë ndryshe problemet.

Kritikat e Këshillit të Ministrave janë veçanërisht të ashpra për taksën ndaj produkteve me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, për punësimet e njerëzve me precedentë penalë (dhe të dënuarit për krime lufte), për mosimplementimin e Asociacionit, për mosçeljen e Urës së Mitrovicës, dhe për mënyrën si po trajtohet Gjykata Speciale.

Por, për Qeverinë e Kosovës pjesa më e rëndë duhet të jetë ajo tek pika e fundit, që flet për liberalizimin e vizave për qytetarët e vendit, që përmbyllet me fjalinë se ky vendim akoma është duke u shqyrtuar.

Siç është bërë e qartë, sa i përket taksës kërkesa është e palëkundur: ajo nuk është në frymën evropiane dhe po e pengon bashkëpunimin rajonal, e rrjedhimisht dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Konkluzat e Këshillit adresojnë po ashtu edhe kritikat, që deri tani kësaj qeverie i janë bërë nga shoqëria civile, për mungesën e vendosmërisë në trajtimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. “Këshilli mbetet i shqetësuar për ndërhyrjet politike në emërimet e pamerituara dhe shpreh keqardhje për caktimin e njerëzve të dënuar për krime lufte në pozita të tilla, që është në kundërshtim me vlerat evropiane”.

Duke adresuar kritika të shumta në plotninë e pjesës për Kosovën, Konkluzat e Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian shprehin mospajtimin e BE–së për rrugën dhe mënyrat që po përdor Kosova, si paralajmërim për pozicionin që do të mbahet në çështjet që lidhen me agjendën evropiane të vendit.