Bota rikthen vëmendjen kah qymyri, Kosova ngurron pashpjegueshëm

Duhet respektuar, natyrisht, gjithnjë dhe sa ka hapësirë për t’u përkrahur kërkesat e ambientalistëve botëror dhe atyre të vendit për të zëvendësuar prodhimin e rrymës nga qymyri me burime të rinovueshme. Por, Kosova nuk ka shumë kondita, veçmas në rrethanat e mungesës së theksueshme të rrymës së vet, të heq dorë lehtësisht nga qymyri që ia ka falë natyra me bollëk dhe në sipërfaqe të tokës. Fundja, tani, shumë nga shtetet europiane, edhe ato me më pak rezerva të qymyrit se tonat, por edhe ato shumë të fuqishme ekonomikisht dhe financiarisht, po i rikthehen prodhimit të energjisë elektrike nga qymyri.

Mehmet GJATA

Informacioni që të hënen (më 12 shtator 20220) u transmetua nga shumë medie të botës, por edhe nga ato kosovare se “Qeveria e Gjermanisë gjatë viteve 2022, 2023 dhe 2024 do të rikthejë në prodhim 27 termocentrale me qymyr për të plotësuar nevojat me energji elektrike e termike”, duhet të ndërgjegjësojë më në fund komunitetin energjetik dhe vendimarrësit e Kosovës se edhe në vendin tonë, së paku edhe përkohësisht të “amnistohet” qymyri si burim energjetik.

Reklama e sponzorizuar

Rikthimi i vëmendjës kah qymyri, i anashkaluar në këto vitet e fundit nga trysnia e kërkesave antikarbon në nivel global, në këtë kohë krize energjetike që ka kapluar të gjithë botën, është bërë tashmë i domosdoshëm. Aq më parë kur po e shohim dhe po e përjetojmë realisht krizën e madhe si pasojë e mungesës së energjisë elektrike të prodhuar nga kapacitetet vendore (termocentralet e stërvjetruara Kosova A dhe B), dhe pritshmëritë për kohëzgjatje të kësaj krize përderisa të kemi mjaftueshëm për konsumin tonë energji elektrike tonën.

Duhet respektuar, natyrisht, gjithnjë dhe sa ka hapësirë për t’u përkrahur kërkesat e ambientalistëve botëror dhe atyre të vendit për të zëvendësuar prodhimin e rrymës nga qymyri me burime të rinovueshme. Por, Kosova nuk ka shumë kondita, veçmas në rrethanat e mungesës së theksueshme të rrymës së vet, të heq dorë lehtësisht nga qymyri që ia ka falë natyra me bollëk dhe në sipërfaqe të tokës. Fundja, tani, shumica nga shtetet europiane, edhe ato me më pak rezerva të qymyrit se tonat, por edhe ato shumë të fuqishme ekonomikisht dhe financiarisht, po i rikthehen prodhimit të energjisë elektrike nga qymyri, për ndalimin e të cilit, vet ata ishin më të zëshmit dhe për embargot antikarbon, siç dihet, u parapanë edhe afate, u miratuan dhe u projektuan dokumente të shumta, rezoluta të pafundta dhe konventa e traktate të ndryshme.

Qymyri, siç do të përkthehej nga lajmi që sot vie nga Gjermania, është rikthyer sërish në përdorim të domosdoshëm dhe do të rikthhet edhe më shumë në vitet në vazhdim kohët e fundit, gjithandej ndër shtetet të shumta të botës, sidomos te vendet e kamura, me ekonomi dhe industri potente dhe me kapital të imponueshëm. Sikur u harruan përnjëherë dëmet dhe pasojat nga karboni dhe nga ndotja e ambientit, të publikuara dhe të shprehura gjithandej, në medie, në konferenca, në forume ndërkombëtare, të elaboruara deri në detaje, me shifra, grafikone dhe dokumente obligative prej më të ndryshmeve që sanksiononin deri në shpërfaqjen e krizës së rëndë energjetike përdorimin e thëngjillit si burim energjetik me shekuj, thuaja i pazëvendësueshëm në shumë vende.

Të fuqishmit, tashmë po shihet, i harruan afatet e përcaktuara për zëvendësimin e megavatëve të energjisë të prodhuar nga thëngjilli me megavatët e premtuar të energjisë së pastër-asaj të rinovueshme. Po i kthehen, pra qymyrit, sepse kanë nevojë imediate dhe urgjente për të pasur energji elektrike.

Berlini pranoi se rikthimi në përdorim i qymyrit është diçka e hidhur por shumë e domosdoshme në këtë situatë emergjence. Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, investimet globale të energjisë do të rriten me më shumë se 8% në 2022 dhe do të arrijnë në 2.4 trilionë dollarë, me një rritje të dukshme për zinxhirët e furnizimit me qymyr, por do të kërkohen shumë më tepër ‘para’ nëse synimet e lidhura me klimën do të përmbushen.

Një numër i ekonomive të mëdha kanë formuluar plane për të reduktuar varësinë e tyre nga hidrokarburet ruse në muajt e fundit, dhe në këto plane gjithnjë e më shumë zë vend rikthimi i qymyrit. Në Europë, flukset e reduktuara të gazit rus kanë shtyrë, pos Austrisë dhe Gjermanisë edhe disa qeveri të konsiderojnë një rikthim në qymyrin.

Më konkretisht, Gjermania, Italia, Austria dhe Holanda kanë treguar që të gjitha se termocentralet me qymyr mund të përdoren për të kompensuar një ulje të furnizimit me gazin rus. Holanda, këto ditë, madje tha se do të hiqte të gjitha kufizimet në termocentralet e ndezura nga karburantet fosile, të cilat më parë ishin të kufizuara në pak më shumë se një të tretën e prodhimit.

Në Kosovë, megjithatë, sado që ka mungesë evidente të energjisë elektrike dhe sado që ka rezerva marramendëse të qymyit (rreth 12-13 miliardë tonelata rezerva të verifikuara) dhe sado që kjo sasi e këtij resursi natyror energjetik gjendet thuaja në sipërfaqe të tokës dhe te dera e kapaciteteve të vjetëruara energjetike, mundësia e përdorimit të qymyrit si burim energjetik edhe në këtë kohë krize të madhe, pra edhe përkohësisht, është thuaja se e anashkaluar. Për rikthimin e qymyrit si mundësi dhe si përvojë e shumë shteteve të fuqishme europiane, nuk flet askush me dëshirë. Madje, eksertët e shumtë të energjetikës në KEK dhe njohësit e zhvillimeve energjetike më me ëndje heshtin fare, se sa flasin publikisht për nevojat e domosdoshme për të investuar, qoftë në rindërtimin e kapaciteteve të stërvjetruara elektroenergjetike, qoftë në ndonjë kapacitet të ri.

Me fjalë të tjera, rikthimi i mundshëm i qymyrit në Kosovë, si resurs vendimtar për tejkalimin e krizës energjetike përkohësisht, akoma sikur është i anatemuar dhe në njëfarë mënyre është ende temë tabu. Edhe në vizionet zhvillimore dhe në dokumentet që përmbajnë këto vizione, qymyi si resurs i deritashëm dhe mbi 90 për qind burim energjetik i vendit, është larguar thuaja tërësisht. Që në fillim të Strategjisë Energjetike 2022-2031, parashihet goxha sasi e gjeneruar e energjisë elektrike, bëhet fare pak fjalë për qymyrin. Ky dokument për zhvillimet e ardhshme energjetike mbështetet kryekëput në prodhimin e energjisë së rinovueshme duke potencuar si objektiv strategjik dekarbonizimin dhe promovimin e energjisë së ripërtëritshme. “Një sektor energjetik pa CO2 deri në vitin 2050, i integruar në tregun Pan-Evropian, që garanton siguri të furnizimit me energji elektrike dhe përballueshmëri për qytetarët”, theksohet që në fillim të Strategjisë.

Me fjalë të tjera, hartuesit e Strategjisë Energjetike, me gjasë, të ndikuar nga presioni ndërkombëtar i bërë para krizës globale energjetike për dekarbonizimin e sektorit energjetik, kanë anashkaluar thuaja fare përdorimin e qymyrit si burim akoma të nevojshëm. Kanë anashkaluar qymyrin edhe si resurs për të siguruar më shumë dhe më urgjentisht energjinë që na mungon, por edhe në periudha afatgjata, pa dhënë ndonjë sqarim se si do të sigurohet energji elektrike që i mungon konsumit kosovar më shpejtë, bie fjala gjatë këtij dimri dhe dimrave deri më 2025, kur është parashikuar të shtohet prodhimi i energjisë së rinovueshme në 500 megavatë. “Vendimi për rinovimin e njësisë së dytë të Termocentralit Kosova A, do të merret më së voni në vitin 2024. Njësia (njësitë) e rinovuar(a) të termocentralit “Kosova” A” do të punojnë si rezervë strategjike nga viti 2028, që do të thotë se kjo (këto) njësi do të jetë (jenë) të disponueshme në sezonin e ngrohjes kur kërkesa për energji elektrike është më e lartë, ose në raste të jashtëzakonshme si kriza e fundit energjetike. Njësitë e Kosovës A të cilat nuk janë aktualisht në përdorim (A1 dhe A2) do të dekomisionohen, ndërsa njësia e tretë operuese e këtij termocentrali do të mbyllet përgjithmonë pasi të ketë përfunduar rinovimi i njësive të tjera të linjitit”, sqarohet në Strategjinë Energjetike 2022-2031, nga ku nënkuptohet se deri në vitin 2024, as që bëhet fjalë për investime eventuale në rindërtimin e ndonjë blloku të ‘Kosovës A’.

Dhe kjo nënkupton, se fare pak, ose aspak nuk bëhet fjalë për rikthim të vëmendjes te qymyri si resurs energjetik, pa të cilin Kosova realisht do ta ketë shumë të vështirë të ketë energji të mjaftueshme dimrave në vazhdim. Por, nënkupton edhe faktin e pakonstestueshëm se në këto vite, pa investime në rinovimin e disa njësive ekzistuese të termocentraleve ‘Kosova A’ dhe të dy blloqeve të ‘Kosovës B’, ose pa rindërtimin e tërësishëm të disa blloqeve të ‘Kosovës A’, Kosova nuk do të ketë rrymë të mjaftueshme të vetë as deri më 2025, kur parashihet që kapacitetet e energjisë së rinovueshme të arrijnë 500 megavatë. Sepse, edhe po qe se Kosova më 2025 do të kishte arritur të ketë 500 megavatë nga energjia e ripërtëritshme, kjo sasi është e barabartë sa prodhimi aktual i një blloku e gjysmë të ‘Kosovës A’.

Por, sidoqoftë, në të gjitha këto llogari, shtrohet pyetja e pashmangshme, çka do të bëjë Kosova, ta zëmë deri më 2025, kur qenka si vision që kapacitetet e energjisë së rinovueshme të arrijnë 500 megavatë. Si do të kompenzohen mungesat e energjisë elektrike kur çmimet në tregun energjetik tashmë kanë shkuar në stratosferë dhe ku po parashihet që në ditët e acarta dhe në periudhën dimërore ky çmim të arrijë në mbi 1 mijë euro për megavat. Pastaj, autoritet dhe vendimmarrësit e kanë fortë të qartë se fuqia e instaluar e paneleve solare dhe të centraleve në bazë të erës dhe ato solare (edhe po qe se deri më 2025 do të ndërtoheshin kapacitete të energjisë së rinovueshme për prodhimin e 500 megavatë-orëve, që realisht ka fare pak gjasë), asnjëherë nuk mund të arrijnë prodhimin e fuqisë instaluese dhe ato rëndom prodhojnë diku te gjysma e fuqisë së instaluar, ndërsa në Kosovë edhe më pak, për shkak të mungesës së bollshme të erës dhe të diellit.

Prandaj, autoritet që e kanë në dorë zhvillimin energjetik të vendit, pse po ngurrojnë për të nis investimet në ndërtimin e një kapaciteti të ri elektroenergjeti me fuqi mesatare (ideale do të ishte diku 400-500 megavatë orë, sipas ekspertëve), ose për të nis rindërtimin e tërësishëm të Kosovës A (tre blloqeve të këtij termocentrali të amortizuar ndjeshëm dhe të konsumuar nga kohëgjatësia e të punuarit – A 3, A 4 dhe A 5). Aq më parë, pse po hamendësohet kaq shumë, kur janë kaq evidente mungesat e rrymës në konsumin e Kosovës, ndërkohë që kemi gjithë këto rezerva të thëngjillit dhe që gjenden thuaja në sipërfaqe të tokës. Fundja, pse të shtiremi sikur jemi të vendosur antikarbon, kur kemi kaq shumë nevojë për rrymën që do ta prodhonim nga qymyri jonë. Gjermanët dhe të tjerët nuk po shtirën tashmë fare, publikisht po e deklarojnë rikthimin kah thëngjillit si resurs energjetik.

Edhe një fakt tjetër tepër i rëndësishëm, dhe për shumë punonjës e ekspertë të KEK-ut, e i domosdoshëm, që po anashkalohet nga zyrtarët dhe vendimmarrësit, është rreziku shumë i madh që paraqesin blloqet e aktivizuara të stërvjetruara të ‘Kosovës A’, të cilat janë në prodhim që nga vitet e gjashtëdhjeta dhe sot e kësaj dite ato ende prodhojnë, por paraqesin rrezik permanent për punonjësit dhe popullsinë përrreth, nga vjetërsia dhe amortizimi i stabilimenteve të tyre. Dhe, për këtë shkak, këto blloqe të ‘Kosovës A’, ose duhet urgjentisht të rinovohen tërësisht, ose duhet t’ua vëmë dryrin. Tjetër zgjidhje nuk ka, potencojnë në unison ekspertët e KEK-ut.

Dihet Kosova A, tre blloqet (A3, A4 dhe A5), edhe kështu si janë, në një gjendje të mjerueshme nga vjetërsia e tyre dhe larg çdo standardi sipas ligjeve në fuqi për prodhimin e energjisë nga termocentralet, janë më se të nevojshme për KEK-un dhe mbarë Kosovën për të kompenzuar mungesat e rrymës dhe për të mos u futur në ‘qorrsokak’, që pastaj vështirë t’i dilet mbanë nga importi me çmime stratosferike të rrymës. Sepse, ‘Kosova A’ akoma prodhon 35 për qind të energjië elektrike të vendit. Dhe kjo sasi është kolosale edhe për nga vlera financiare, kur gjithnjë e më shumë kudo në botë po shpërfaqen përmasat dhe pasojat e frikshme të krizës energjetike, e cila e ka përfshirë tashmë jo pak edhe Kosovën.

Kur të kihen parasysh këto fakte, dalin goxha të pashpjegueshme, por edhe të pakuptueshme hezitimet e zyrtarëve për të pasur ndonjë kapacitet të ri elektroenergjetik, ose mëdyshjet për t’ia nisur një orë e më parë rindërtimit të tërësishëm të Kosovës A. Askund nuk e shpie Kosovën nga pikëpamja energjetike nëse vetëm konstatojmë dështimet e deritashme. Dështimet në zhvillimet elektroenergjetike të Kosovës kanë ndodhur dhe ato janë një e kaluar e hidhur a jona. Tani duhet siguruar energjinë e nevojshme për vendin një orë e më parë. Të qëndrosh mbi 12-13 miliarda tonelata rezerva të qymyrit dhe të mos kesh rrymë të mjaftueshme për Kosovën e vogël edhe territorialisht, edhe për nga numri i popullsisë, është përtej absurdit.

Ndërkohë edhe parashikimet për shifrat konkrete për energjinë e rinovueshme duken të jenë goxha utopiste dhe më shumë vizione dëshirash.

Ndërsa, ekspertët që tani shprehen me pesimizëm për arritjen e synimeve të shtetit që deri më 2025 të ketë 500 megavatë energji elektrike nga kapacitetet e rinovueshme. Si do të arrihet të prodhohet brenda 2-3 vjetësh kjo sasi, kur këto synime akoma janë vetëm vizione dhe projeksione pa asnjë veprim konkret për të nisur ndërtimin e ndonjë kapaciteti të energjisë së rinovueshme?

Sipas një inxhinieri të KEK-ut, njohës i mirë i zhvillimeve energjetike te ne, që e preferon anonimitetin, për të pasur kapacitetet e energjisë së rinovueshme që më 2025 do të arrinin 500 megavatë, do të duhej tani ndonjë central, qoftë me diell, qoftë me erë, që së paku aktualisht të ishin në fazën fillestare të ndërtimit. Në kushtet optimale, sipas tij, ndërtmi i një kapaciteti të tillë zgjatë 2-3 vjet. Në Kosovë, gjithsesi kjo kohë gjithmonë ka qenë më e gjatë, prandaj do të jetë pikëpyetje e madhe nëse do të arrihen projeksionet e parashikuara me Strategjinë energjetike 2022-2031, për energjinë e ripërtëritshme.

Pikërisht, për këtë arsye zyrtarët e Kosovës së pasur me qymyr, duhet ta kenë parasysh këtë fakt. Dhe, mos të anashkalohet lehtësisht qymyri. Tani, ka pajisje e pajisje shumë moderne, e të sofistikuara, që mundësojnë në përqindje të lartë të sigurojnë ambient më të pastër edhe nga djegja e qymyrit. Shtetet e BE-së që po e kthejnë këtë resurs, i kanë parasysh këto fakte. Duhet t’i kemi edhe ne. Në asnjë mënyrë nuk duhet frikësuar skajshmërisht as nga taksa e karbonit, me të cilën deri tash është kërcënuar edhe Kosova si përdoruese e madhe e qymyrit për të prodhuar energji elektrike. Domosdo që është më lirë energjia e prodhuar këtu nga qymyri i bollshëm dhe që gjendet thuaja në sipërfaqe të tokës, se sa të sigurohet nga importi me çmimet tashmë të provuara, qoftë edhe me taksa të shtrenjta të karbonit. Kosovës i duhet energjia elektrike urgjentisht. Mundësitë reale për të pasur energji të bollshme i ka te dera. /Buletini Ekonomik/