Kostot e projektit të rrugës Milot – Balldren, me një gjatësi totale prej 17.2 km, një koncesion i pakërkuar i dhënë kompanisë A.N.K është 213.6 milionë euro plus TVSH-në, sipas propozimit financiar, pjesë e kontratës së koncesionit/PPP.
Nga kjo shumë, financimi i kompanisë është 140 milionë euro, sipas specifikimeve në kontratë, nga të cilat një hua bankare prej 70 milionë eurosh, e cila do të merret nga një ose më shumë institucione financiare, financimi nga furnitorët prej 19.5 milionë euro dhe 52 milionë euro kompania premton se i ka nga kapitali i vet.
Pjesa e mbetur prej 72 milionë eurosh do të shkojë për pagim interesash dhe fitimin e kompanisë, teksa kjo shumë përbën rreth 34% të totalit (pa TVSH), ose rreth një të tretën e kostos totale të rrugës, çka e çon koston totale për kilometër në 15 milionë euro për kilometër (përfshirë TVSH), më të shtrenjtat në Europë
Sipas WorldHighways, kostot më të shtrenjta të ndërtimit të autostradave në Europë janë në Austri me 12.87 milionë euro / km.
Vendi tjetër më i shtrenjtë është Hungaria në 11.21 milionë euro / km, e ndjekur nga Sllovakia në 9.56 milionë euro / km dhe pastaj Republika Çeke në 8.86 milionë euro / km.
Në anën tjetër të spektrit, shpenzimet në Danimarkë janë vetëm 5.89 milion € / km, në Kroaci 6.68 milion / km, në Slloveni 7.29 milion / km dhe në Gjermani 8.24 milion / km).