Vuçiq: U kam thënë, s’ka problem e ndalim lobimin për çnjohje – hiqeni taksën

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar sot se “është i hollë teli nëpër të cilin ne tash po ecim për Kosovën dhe nuk është mundur të godasësh as majtas dhe as djathtas sepse në këtë rast do të biesh poshtë”, transmeton Koha.net.

Ai ka thënë kështu duke treguar se cilët janë hapat e ardhshëm të Serbisë kur bëhet fjalë për Kosovën dhe dialogun me të.

“Nuk jam i lumtur që nuk ka takim në Paris e jam i pikëlluar tek dëgjoj vlerësimet e disa qarqeve amerikane se shqiptarët e Kosovës kanë pasur të drejtë që na i kanë vënë taksat sepse Serbia është angazhuar për tërheqje të njohjeve të Kosovës. Kjo është e drejtë jona, ne nuk e kemi njohur Kosovën, as që kemi nënshkruar ndonjë dokument dhe as që kemi thënë gojarisht që të mos e bëjmë këtë. U kam thënë, nuk ka problem, do të ndalojmë me këtë (lobim) por edhe ndaloni kërkesat për njohje dhe tërhiqni taksat, por ata nuk e dëshirojnë këtë”, citon Blic i Beogradit të ketë thënë Vuçiqi.

Reklama e sponzorizuar

Ai ka theksuar se Kosova e ka kuptuar se “neve po na ngutet me zhvillimin ekonomik dhe mund të na pengojë duke na shantazhuar dhe duke e shtyrë arritjen e zgjidhjes”.

Për këtë arsye, sipas tij, “nga ne po e kërkojnë vetëm njohjen e nuk po ofrojnë asgjë për ç’shkak zgjidhja e problemit ndërmjet dy vendeve vetëm po shtyhet”.