Auditorët e shtetit nuk kanë arritur ta sqarojnë një ngjarje të pazakontë të ndodhur në vitin 2018-t në ndërmarrjen publike “Hekurudhat e Kosovës – Trainkos”. Një sasi e naftës prej 10 mijë e 606 litrash, në vlerë monetare 8 mijë e 378 euro, është zhdukur nga depot e kësaj ndërmarrjeje, përcjell Buletini Ekonomik.
Gjetjet i ka konstatuar Auditori i Përgjithshëm, duke ngritur shumë dyshime se si erdhi deri tek kjo ngjarje. Rasti është cilësuar si i ‘pazbuluar’, meqë në kohën kur kishte ndodhur ngjarja, në depo nuk punonin kamerat e sigurisë.
“Në regjistrat kontabël me 31.12.2018 janë regjistruar në kontabilitet dy humbje sipas matjës me mjetin matës në sasi prej 3,656 litra apo 2,888 euro dhe humbja e dytë në bazë të komisionit ishte në sasi prej 6,950 litra apo 5,490 euro. Shuma totale e humbjes sipas regjistrit kontabël në fund të vitit ishte 10,606 litra apo 8,378 euro”, thuhet në raportin e Auditorit për këtë ndërmarrje.
Për këtë punë, kryeshefi ekzekutiv i ndërmarrjes kishte formuar edhe një komision për ta sqaruar rastin. Por gjetjet e komisionit nuk e binden Auditorin.
“Sipas vlerësimit dhe konstatimit të komisionit defektet ishin te pajisjet e Trainkos-it, pasi që pajisjet e matjes së naftës nuk kanë bërë regjistrimin në mënyrë të saktë, nga se është vërejtur se furnizimi me naftë nga pompa bëhet duke regjistruar më pak furnizim”, thuhet në raport.
Ngjarjen e bën edhe më të dyshimtë mosfunksionimi i kamerave në kohën kur është bërë pranimi i mallit në depo. Departamenti i administratës kishte pohuar se vëzhgimi me kamera në depo të naftës nuk ka funksionuar në kohën e konstatimit të mungesës dhe kjo humbje ka mbetur si e pazbuluar. Kjo ka ndodhur për shkak të mungesës së kontrolleve të duhura ndaj furnizimeve, stokut dhe shpenzimeve të naftës.
“Mungesa e kontrolleve adekuate në pranimin e naftës duke përdorur mjete të pasigurta dhe duke mos u siguruar lidhur me funksionimin e kamerave gjatë kohës së verifikimit të sasisë së pranuar, paraqet rrezik që Kompania të dëmtohet financiarisht duke paguar për mallin të cilin nuk e ka pranuar”, ka vlerësuar Auditori. /Buletini Ekonomik/