‘Aksham Pazar’ në Telekom: U porositën 305 telefona smart në vlerë 171 mijë euro

Posta dhe Telekomi i Kosovës

Në ditën kur ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, shpalosi kompaninë që do ta çojë Telekomin drejt privatizimit në një afat prej pesë muajsh, një tender i madh u lansua nga Zyra e Prokurimit të kësaj ndërmarrjeje.

Mbi 170 mijë euro planifikon të shpenzojë Telekomi për furnizim me telefona mobil të teknologjisë më të avancuar, përcjell Buletini Ekonomik.

Tenderi “Furnizim me pajisje mobile telekomunikuese” në vlerë 171 mijë euro tashmë është publikuar në Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP).

Reklama e sponzorizuar

Me këtë shumë planifikohet të blihen gjithsej 305 telefona mobil.

Në mesin e tyre 131 janë IPhone X dhe 68 tjerë të markës ‘Samsung Galaxy S8’. Pjesa tjetër janë po ashtu nga këto dy marka por më të vjetër për nga viti i prodhimit.

Buletini Ekonomik ka siguruar tabelën me telefonat që po kërkohen nga Telekomi.

Meqë tenderi ende është në fazat fillestare, ende nuk dihet kompania fituese, si dhe arsyet që e shtynë menaxhmentin në shpenzimin e gjithë këtyre mjeteve.

Ndryshe, këto shpenzime po ndodhin në kohën kur ndërmarrja është në gjendje të rëndë financiare dhe në kohën e privatizimit të saj. Tashmë Kompania “Detecon”, degë e Deutche Telekom, është përzgjedhur nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për përgatitjen e Telekomit të Kosovës për privatizim.

Ky projekt pritet që të zgjasë rreth 5 muaj dhe më pas do të hapet faza tenderuese për privatizimin e 51 për qind të aksioneve, ndërsa pjesa tjetër do të mbetet në pronësi të Qeverisë. /Buletini Ekonomik/