Amvisëria, sektori që po konsumon energjinë elektrike më së shumti

Energjia elektrike

Amvisëria mbetet sektori që po e shfrytëzon më së shumti energjinë elektrike në vend.

Kjo energji që konsumohet nga ky sektor shfrytëzohet për gatim, ndriçim, ngrohjen e hapësirave, ngrohjen e ujit, kondicionimin e ajrit dhe gjithashtu edhe për përdorimin e pajisjeve tjera elektrike për nevoja familjare dhe individuale, përcjell Buletini Ekonomik.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, konsumi final i energjisë së përgjithshme në këtë sektor për vitin 2018 ka qenë 573.40 ktoe (Kilo ton oil ekuivalent), me një rritje të konsumit prej 2.82% krahasuar me vitin 2017.

Reklama e sponzorizuar

Prej produkteve energjetike që po përdoren më së shumti në amvisëri janë: biomasa (dru zjarri), që përbën rreth 59% të konsumit total të energjisë së konsumuar, pastaj vjen energjia elektrike e cila është konsumuar në sasi prej 36.23%  të konsumit total.

Ndërkaq, prej thëngjillit kosovarët përdorin vetëm linjitin, ndërsa sa i përket produkteve të naftës në amvisëri përdoret më së shumti produkti GLN, që është gazi i lëngëzuar i naftës me sasi energjie prej 8.39 ktoe, e pasuar nga nafta me 3.12 ktoe dhe benzina 1.37 ktoe.

Sipas Balancës Vjetore të Republikës së Kosovës të nxjerrë nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, sektori i amvisërisë vetëm gjatë vitit 2018 ka konsumuar energji elektrike prej 207,76 ktoe, që i bie 59% të konsumit total të energjisë elektrike,  e pasuar nga sektori i industrisë me 86,03 ktoe, ose 24% të sasisë së përgjithshme, për dallim nga dy sektorët e tjerë si: shërbimet dhe bujqësia, të cilat kanë konsumuar më pak energji elektrike gjatë vitit që e lamë pas. /Buletini Ekonomik/