Dhurata Hoxha “i gjuhet” sërish BE-së

Kryeministri Ramush Haradinaj ka deklaruar se Kosova nuk e ka larg vendimin për liberalizim të vizave me Bashkimin Evropian (BE), ndonëse shumë shtete anëtare nuk janë deklaruar pro kërkesës së vendit për lëvizje në Zonën Schengen. Franca, Holanda, Finlanda, ende kanë dilema nëse do ta votojnë pro liberalizimit të vizave për Kosovën në Këshillin e Ministrave të BE-së, përderisa Bullgaria, Sllovakia e Lituania kaë konfirmuar se do ta përkrahin vendin në këtë proces.

Nga Zyra e kryeministrit Ramush Haradinaj kanë thënë se Qeveria është duke e kryer punën e vet sa i përket lobimit te të gjitha vendet e BE-së për të drejtën e lirisë së lëvizjes për të gjithë qytetarët e Kosovës.

“Qeveria dhe institucionet tjera të Republikës së Kosovës janë duke e bërë detyrën e vet sa i përket lobimit te të gjitha vendet e BE-së për të drejtën e lëvizjes së lirë të qytetarëve të Kosovës, duke përfshirë Francën, Holandën dhe Finlandën dhe se opinioni i këtyre shteteve po ndryshon në favor të liberalizimit. Kosova i ka përmbushur kriteret e BE-së për liberalizim dhe hyrja në agjendë të Këshillit të BE-së është e pritshme. Pra kjo do të ndodhë sivjet”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Kryeministrit për Zërin.

Reklama e sponzorizuar

Ndërsa ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, theksoi se me gjithë punën e institucioneve për ta bërë të mundur heqjen e vizave, Kosova nuk po trajtohet sikur vendet tjera aspiruese që tashmë kanë arritur synimin për liberalizim.

“E them preras, askund në udhërrëfyes nuk ka pikë ose kapitull të papërmbushur. Fenomenet që janë procese nuk kanë data, siç është sundimi i ligjit ose luftimi i krimit dhe i korrupsionit, ato janë procese dhe kurrë të përfunduara. Këto dukuri negative janë sfidë për mbarë botën, ndërsa të ketë mospranim të të arriturave vetëm për vendin tonë është e padrejtë. Kur e them këtë kam parasysh për disa vende që kanë liberalizim e që për fenomenet të cilat neve na ngarkohen në ato vende as që kanë trajtim ose shifra të matshme”, ka thënë ministrja Hoxha.

Ajo potencoi se padrejtësitë që po i bëhen Kosovës nuk do ta ndalin punën e vendit për fuqizimin e sundimit të ligjit dhe luftimin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit.

Hoxha shtoi se duke u bazuar në komunikimin zyrtar që institucionet e Kosovës kanë pasur me institucionet e BE-së, nuk ka qenë e pritshme që Kosova do të përballet me një vonesë kaq të madhe deri në heqjen e vizave.