Ekonomia joformale në Kosovë arrin në shkallën prej 30 për qind

Autoritetet në Kosovë kanë paralajmëruar betejë të pakompromis kundër ekonomisë joformale në vend, e cila vlerësohet të ketë arritur në shkallën prej 30 për qind të bruto produktit vendor, që përkthyer në shifra është rreth 1.8 miliard euro në vit.

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka publikuar të premten, në një konferencë për media, raportin gjashtëmujor ku është theksuar se niveli i ekonomisë joformale është në nivel të lartë, por që si e tillë, përgjatë kësaj periudhe, ka shënuar rënie për shkak të rritjes së të hyrave tatimore.

Drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj, thotë se të hyrat nga tatimet kanë arritur vlerën e më shumë se 200 milionë eurove dhe kjo ka ardhur si rezultat i luftimit të ekonomisë joformale dhe mbledhjes së borxheve.

Reklama e sponzorizuar

“ATK-ja, në gjashtë mujorin e parë të vitit 2019, ka mbledhur të hyra në vlerë prej 239.5 milionë eurosh, që krahasuar me periudhën e njëjtë kohore të vitit të kaluar rezulton se kemi 19.5 milionë euro më shumë të hyra nga tatimet, apo 8.9 për qind”, thekson ai.

ATK-ja, thotë Murtezaj, ka zhvilluar aktivitete edhe për mbledhjen e borxheve. Ai bën të ditur se për herë të parë kanë zhvilluar rreth 155 aktivitete të konfiskimit të pasurisë dhe si rrjedhojë janë inkasuar më shumë 2.7 milionë euro. /Koha.net/