Haradinaj i kërkon ndihmë deputetes franceze për vizat

Gjatë vizitës së tij zyrtare në Paris, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka zhvilluar një takim me Marta de Cidrac, deputete e Senatit të Francës dhe kryetare e grupit të miqësisë me Ballkanin Perëndimor të cilën e ka njoftuar me angazhimin e tij dhe të Qeverisë së Kosovës për të thelluar marrëdhëniet dhe bashkëpunimin e mirë të Kosovës me të gjitha vendet mike dhe përkrahëse të Kosovës.

Ndër të tjera, Haradinaj ka kërkuar edhe ndihmën e saj dhe të shtetit francez në çështjen e liberalizimit të vizave.

“Ne konsiderojmë Francën një vend mik dhe mbështetës të vendit tonë, për arsye se kjo është dëshmuar në të gjitha fazat e ndërtimit dhe zhvillimit të shtetësisë sonë”, ka thënë kryeministri.

Reklama e sponzorizuar

Këtë raport miqësor midis dy vendeve tona, ka thënë kryeministri Ramush Haradinaj, “e bëjnë edhe më të thellë angazhimi i miqve nga të dyja vendet” duke shprehur falënderimin e tij për angazhimin e deputetëve të Asamblesë Nacionale të Francës për të promovuar miqësinë e dy vendeve tona.

Kryeministri Haradinaj ka theksuar përkushtimin e Kosovës për të ecur drejt integrimit të plotë në strukturat euroatlantike dhe për të qenë pjesë me detyra dhe obligime të plota në familjen e madhe evropiane. “Kosova është e bindur që në këtë rrugë do të jetë e mbështetur nga miqtë e saj dhe nga Franca, pa asnjë hezitim”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka theksuar se aktualisht pret një mbështetje dhe më aktive në finalizimin e realizimit të të drejtës së qytetarëve të Kosovës për të lëvizur lirshëm në Evropë, e drejtë kjo që, siç tha ai, është duke iu mohuar kosovarëve pa të drejtë.

“Kosova është e përkushtuar që të vazhdojë rrugën e saj për të qenë faktor stabiliteti dhe kontribuuese e paqes në rajon me qasjen dhe politikat e saja të drejta dhe në dobi të të gjithëve, ka thënë Haradinaj.

Deputetja franceze, sipas njoftimit për media të Kryeministrisë, ka shprehur angazhimin e saj për të vazhduar lobimin në favor të zhvillimit marrëdhënieve midis dy vendeve dhe integrimit të plotë të Kosovës në familjen evropiane.